Mbrapa

Shqipëria zgjohet sërish nën ujë

Publikuar: 03.12.2017

Situata në Darzezë të Fierit është përkeqësuar gjatë natës së mbrëmshme pas e rinisjes së reshjeve të dendura.

Si pasojë e rritjes së nivelit të ujit është dëmtuar argjinatura e lumit duke rritur rrezikun e vërshimit të ujit drejt banesave dhe tokave bujqësore. 

Për të monitoruar situatën ministrja e Mbrojtjes Olta Xhaçka ka udhëtuar gjatë natës drejt këtij fshati.

Xhaçka shprehet se aktualisht niveli i ujit ka rënë por situata po mbahet në kontroll, shkruan Panorama.

“Jemi ne kembe te gjithe per t’u siguruar qe hidrovori mos dale jashte funksioni, argjinatura te perforcohet e te merren masa ne rast emergjente per 400 familjet qe preken te parat nga permbytja e mundshme. Pergjegjesi maksimale per te parandaluar sa mundemi e per t’ju gjendur prane gjithkujt qe i rrezikohet jeta dhe prona”, ka deklaruar nga Darzeza ministrja Xhaçka.

Më herët u raportua se 40 efektivë të Forcave të Armatosura u nisën drejt Darzezës për të qenë prezent në rast se do të duhej ndërhyrja e tyre për të iu ardhur në ndihmë banorëve të zonës.

Po ashtu në gjendje problematike është edhe aksi rrugor Levan-Tepelenë ku gjatë natës ka pasur prezencë uji në rrugë në afërsi të fshatit Selishtë. 

Autoriteti Rrugor Shqiptar njoftoi gjatë natës se rruga është e kalueshme nën monitorimin e punonjësve të ARRSH, kontraktorit të mirëmbajtjes dhe Policisë Rrugore.

Më herët në Darëzezë mbërritën 40 efektivë të FA, të cilët vendosën thaës më rërë anës lumit në Darëzezë , në mënyrë që të evitohej prishja e argjinaturës së lumit.

Shtabi i Emergjencës në Vlorë konfirmon se situata mbetet kritike pasi niveli i Vjosës vetëm sa rritet.

Zona e Novoselës dhe fshatrave përreth ndodhet në terr. 

Banorët kanë gjetur zgjidhje duke e kaluar gjënë e gjallë në katet e sipërme të banesave.

Probleme ka pasur edhe në nën kalimet e autostradës Vlorë-Levan, në nën kalimin e fshatit Panaja dhe Novoselë, të cilat janë mbushur me ujë.

Edhe Selenica e disa fshatra të saj janë bllokuar dhe nuk kanë energji.

Vjosa ka dalë nga shtrati edhe në Fier duke përmbytur qindra familje, kryesisht në fshatrat Ferras, Cerven, Kashisht dhe Hambar.

Uji ka hyrë në banesa deri në lartësinë 2.5 metra duke pushtuar kështu katet e para.

Rreth 350 forca të ushtrisë kanë evakuuar afër mëngjesit të djeshëm 30 familje nga Ferrasi, të cilët ishin më të rrezikuar pasi i kishin shtëpitë përdhese. 

Janë përmbytur më shumë se 500 shtëpi, 100 biznese e servise, dhjetëra stalla e sera, si dhe mbi 300 ha tokë bujqësore.

Përgjatë gjithë natës u është bërë thirrje banorëve të lënë banesat e tyre, por ata kanë refuzuar duke qëndruar në katet e sipërme. 

/MediaPress