Mbrapa

Limaj paralajmëron masa reciprociteti ndaj vendeve fqinje

Publikuar: 01.12.2017

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Fatmir Limaj ka thënë se Kosova përfundimisht do të sillet në mënyre reciproke me gjithë të tjerët.

Limaj ka thënë se ka kaluar koha kur në emër të Kosovës kanë folur të tjerët duke mosrespektuar interesat e vendit.

“Qeveria e Kosovës i ka dhënë prioritet të fuqishëm fuqizimin të prodhuesve vendor dhe ekonomisë së vendit. Ne do të sillemi shumë strikt dhe me reciprocitet me secilin vend. Sjellja e Kosovës do të jetë në propercion me sjelljet qe vendet tjera kanë ndaj vendit tonë. Kosova me nuk do të jetë një treg i egër ku do të shfrytëzohet nga të tjerët. Ju do t’i shihni masat. Ne veç kemi filluar zbatimin e atyre që janë nisur edhe me herët. Masat për miellin dhe ky është veç fillimi”, ka thënë Limaj në tryezën e organizuar nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike me temën Zona Ekonomike Rajonale e Ballkanit Perëndimor: implikimet më të gjëra tregtar edhe sfida në zbatim për Kosovën.

Tutje, Limaj ka thënë se tema e tryezës se sotme është me rendësi jetike e përcaktimit të orientimit të vendit drejt integrimeve evropiane.

“Procesi i Berlinit ka qenë një lajm I mirë për të gjitha vendet e rajonit një përkushtim i BE-së konkretisht Gjermanisë dhe vendeve tjera për t’i mbështetur vendet e rajonit. Procesi i vazhduar në Vienë dhe Triestë ka për qëllim përgatitjen e vendeve të rajonit drejt BE-së. Zonë e lirë ekonomike rajonalë pa paragjykuar kemi parashikuar si një mundësi për të mundësuar rrugëtimin tonë drejt BE-së. Shembulli më i mirë është vendimi i ish kryeministrit Mustafa duke e kundërshtuar Unionin Doganor dhe ne e mbështesim”, ka shtuar Limaj.

“Edhe pse Kosova me vullnet është bërë pjesë e CEFTA-s ajo asnjëherë nuk ka gjetur zbatim në vendet tjera në tërësi. Ekonomia dhe biznesi i Kosovës ka pasur problem të shumta në mënyre të veçantë në drejtim të Bosnjës dhe Serbisë. Mosnjohja e Kosovës të pavarur dhe barrierat tjera politike janë pengesat kryesore që pengojnë rrugëtimin e Kosovës. Ne nuk mund të humbim kohë si Kosovë në gjëra të cilat aktualisht është vështire të zgjidhen. Prandaj edhe ne i jemi kthyer vetvetes dhe fuqishëm do të mbështesim hapjen e vendeve të reja të punës. Ky është përkushtimi ynë”, ka theksuar Limaj.

Zëvendëskryeministri ka thënë se kjo qeveri do të marrë përsipër të gjitha obligimet ndërkombëtare që derivojnë nga qeveritë e kaluara.

“Kosova është e interesuar të bashkëpunoj me fqinjët dhe të integrohemi e t’i heqim të gjitha barrierat dhe kjo duhet të jetë e dyanshme. Kosova kërkon të respektohet ashtu siç i respektojmë ne të tjerët. Përshëndesim çdo iniciative që ka për qëllim shkurtimin e rrugës drejt BE-së, por këto iniciativa duhet të jenë në përputhje me interesat e vendeve të rajonit”, ka përfunduar Limaj.

 

/MediaPress