Mbrapa

“Kasapët” e buxhetit!

Publikuar: 07.12.2017

Partnerët e koalicionit qeverisës me emërimin e 67 zëvendësministrave, të cilët kanë nga një asistent dhe shofer personal, buxhetit të varfër të Kosovës i kushtojnë mbi 1.5 milionë euro në vit.

Nëse rritet numri i tyre, ashtu siç pritet të ndodhë, vetëm për pagat e tyre do të shpenzohen rreth 2 milionë euro.

Pagat e 67 zëvendësministrave të emëruar deri më tani nga qeveria “Haradinaj” buxhetit të Kosovës do t’i kushtojë rreth 1 milion euro në vit pa përfshirë këtu edhe pagat e 67 asistentëve të tyre dhe po aq shoferëve.

Pagat e asistentëve të zëvendësministrave arrijnë në rreth 350 euro në muaj, po aq sa janë edhe pagat e shoferëve.

Sipas një kalkulimi të thjeshtë del se pagat e zëvendësministrave, të asistentëve dhe të shoferëve arrijnë shumën vjetore prej mbi 1.5 milion eurosh.

Megjithatë, kjo shifër mund të arrijë shumë shpejt 2-milionëshin nëse numri i zëvendësministrave arrin në 80, ashtu siç bazohet se janë pajtuar partnerët e koalicionit qeverisës.

Zyrtarë të Ministrisë së Financave kanë bërë të ditur për gazetën “Zëri” se paga e një zëvendësministri aktualisht është 1,182,50 euro derisa paga e asistentes dhe e shoferit është 348,5 euro.

 

/MediaPress