Mbrapa

75% e punimeve të TAP mbyllen në fundvit

Publikuar: 07.01.2018

Gazsjellësi TAP do të përfundojë punimet deri në fund të 2018-ës në territorin shqiptar dhe deri më tani është hapur 75% e gjurmës ku do të kalojë.

75 për qind e gjurmës ku do të kalojë gazsjellësi transadriatik në Shqipëri është hapur.

Nga 215 kilometra që është pjesa shqiptare pastrimi i kalimit është bërë për 167 kilometra, ndërkohë që kompania franceze e kontraktuar për shtrimin e tubave ka bërë saldimin në 155 kilometra.

Për 60 kilometra është bërë testimi hidrik. I gjithë gazsjellësi pritet të përfundojë në Shqipëri në 2018, ndërsa puna do të përqendrohet tek stacionet e pompimit, njëri në pikën hyrëse në Bilisht dhe tjetri në pikën dalëse në Seman të Fierit, aty ku më pas gazsjellësi do të futet në det.

Përveç rënies në investimet e huaja direkte për 2019-ën, përfundimi i punimeve për gazsjellësin TAP pritet të jape ndikim edhe në punësim.

Janë rreth 2 mijë shqiptarë që janë të punësuar direkt në këtë projekt në pjesë të ndryshme të tij që nga ndërtimi i rrugëve, transporti, shtrimi i tubacioneve, etj dhe impakti social do të jetë i fortë me mbylljen e punimeve.

Një pjesë e vogël personeli do vazhdojë të jetë e angazhuar në stacionet e pompimit, pjesën e sigurisë dhe atë të mirëmbajtjes. Ndërtimi i gazsjellësit transadriatik ka ofruar punë edhe për biznesin shqiptar.

Janë mbi 35 kompani shqiptare që ofrojnë mallra dhe shërbime, dhe me mbylljen e investimit kontratat për pjesën më të madhe të tyre do të përfundojnë.

 

/MediaPress