Mbrapa

Çka i solli Kosovës marrëveshja e MSA-së

Publikuar: 12.01.2018

Kosova që nga hyrja në fuqi e MSA-së, ka shfuqizuar tarifat doganore për 1,044 nga 2,564 produkte bujqësore nga BE-ja.

Ndërsa 164 produkte bujqësore të BE-së tashmë janë të liruara nga tarifa doganore me ligjin për mallrat e liruara nga tatimi doganor dhe mallrat me tarifë zero të tatimit doganor.

Kështu thuhet në raportin e publikuar nga Ministria e Tregtisë dhe Industrisë me temë “Efektet e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit Kosovë - BE: Ndikimi në Tregti”, ku  theksohet se 14 produkte kanë qenë të pa-negociueshme dhe nuk janë përfshirë në marrëveshje, gjë që do të thotë se tarifa kosovare do të mbetet e njëjtë 10% për ato produkte që kryesisht përfshijnë produkte te qumështit, krem, jogurt, patate, molle, verë.

“12 produkte shumë të rëndësishme për prodhimin bujqësor të Kosovës; 8 bujqësore dhe 4 të përpunuara bujqësore, janë mbrojtur dhe tarifa doganore do të reduktohet gradualisht brenda një periudhe 10 vjeçare nga hyrja në fuqi e marrëveshjes (produkte të qumështit, fruta dhe perime, ujë, birrë dhe produkteve të grurit). 256 produkte sensitive bujqësore (180 bujqësore dhe 76 të procesuara bujqësore) të rëndësishme për fermerët e Kosovës do të jenë të mbrojtura dhe tarifa doganore e tyre do të reduktohet gradualisht brenda një periudhe 7 vjeçare (lëngje frutash si lëng molle, o, luleshtrydhe, kumbulla etj, xhem dhe marmelatë, patate, miell, mish dhe mish i shpezëve, uthull si dhe djathë, etj). 451 produkte (prej tyre 353 bujqësore dhe 98 produkte te proceduara bujqësore) do të lirohen nga detyrimet doganore gradualisht brenda një periudhe prej 5 viteve (produktet mishit të bagëtive, pulave, qumësht dhe krem, pr odukte nga yndyra e qumështit, lule me petale për përdorim, qepë, hudhër, disa perime, disa fruta të caktuara dhe produkte të familjes së arrave, produkte të kafesë, çaj, biber, vanilje, oriz, drithëra, vaj, fruta si dardha, rrush, manaferrat, pjeshkë, , lëngje frutash, etj”, thuhet në raport.

Përndryshe, në prill 2013, Komisioni Evropian konkludoj se Kosova i kishte përmbushur 4 kriteret dhe rrjedhimisht në korrik 2013 Këshilli dha dritën e gjelbër për nisjen e negociatave për MSA.

Procesi negociator ka filluar më 28 tetor 2013, dhe rrjedhimisht janë mbajtur 5 takime në nivel të Kryenegociatorëve dhe dhjetëra takime të grupeve teknike.

Procesi negociator u përmbyll më 2 maj 2014.

Më 25 korrik 2014 marrëveshja është inicializuar, ndërsa më 22 tetor 2015 MSA u miratua në Këshillin e BE-së.

Nënshkrimi i MSA-së u bë me 27 tetor 2015 në Strasburg.

Kuvendi i Republikës së Kosovës ratifikoj Ligjin për Ratifikimin e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit më 2 nëntor 2015.

Përfundimisht, MSA ka hy në fuqi më 1 prill 2016, me ç’rast raportet ekonomike dhe politike me BE janë avancuar në nivel kontraktual.

MSA është marrëveshje ndërkombëtare e lidhur ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian qëllimi i së cilës është themelimi i marrëdhënieve formale dhe kontraktuale ndërmjet dy palëve me qëllim të anëtarësimit të Kosovës në BE.

Procesi i Stabilizim Asociimit për Ballkanin Perëndimor është politikë kyçe e BE-së, me qëllim të anëtarësimit të tij në BE.

Procesi është lansuar në qershor 1999 dhe rikonfirmuar në Samitin e Selanikut në qershor 2003.

 

/MediaPress