Mbrapa

Komunat përgatisin projektet për të kërkuar mbështetje në BERZH

Publikuar: 06.02.2018

Kohët e fundit, kryeministri Ramush Haradinaj ka kërkuar nga komunat  që të hartojnë projekte me të cilat mund të konkurrojnë për grante të Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim.

Rreth kësaj kërkese, përfaqësues të komunave thonë se do të aplikojnë me projekte që i vlerësojnë të rëndësishme për përmirësimin e infrastrukturës.

Komunat kanë filluar t’i përgjigjen kërkesës së kryeministrit Ramush Haradinaj, për përgatitjen e projekteve me të cilat do të paraqiten për grante të institucioneve financiare ndërkombëtare.

Bekim Dobra, zëdhënës i Komunës së Drenasit, thotë se do të aplikojnë me tri projekte, por me prioritet, sipas tij, do të jetë projekti për rregullimin e Lumit Drenica, i cili është në gjendje të keqe.

“Ne, si Komunë e Drenasit kemi menduar të aplikojmë me tri projekte, njëri nga projektet është edhe kolektorët e Lumit Drenica me tri degëzimet e saj, që vlera e tij kap mbi 2 milionë euro. Ne shpresojmë që ky projekt të jetësohet nga donatorët, sepse është në interes jetik të qytetarëve të Drenasit dhe për mirëmbajtjen e Lumit Drenica, i cili nuk është në gjendje të mirë”, deklaroi Dobra.

Donjeta Gashi, nga Zyra për Informim e kryeministrit, tha se ende janë  në fazën e mbledhjes dhe klasifikimit të projekteve nëpër komuna.

Sipas saj, deri tani kanë identifikuar disa projekte të tilla.

“Po i përmendim vetëm disa nga to, që janë:  Unaza e jashtme e Prishtinës dhe kolektori kryesor për pastrimin e ujërave të zeza në Suharekë. Takimi do të mbahet me 26 shkurt, 2018, në Londër, dhe deri atëherë të gjitha komunat e interesuara por edhe bizneset private, janë të ftuar që t’i prezantojnë projektet e tyre”, tha Gashi.

Sipas Zyrës së kryeministrit Haradinaj, Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim ka ofruar investime në infrastrukturë në Kosovë.

Afati për dorëzimin e projekteve të komunave në qeveri është java e parë e shkurtit.

Pas kësaj, Qeveria do t’i paraqesë ato te Banka në takimin e 26 shkurtit, në Londër, transmeton RTKlive.

 

/MediaPress