Biznes http://mediapress.al/wp-content/uploads/2017/07/komunateveriut1476307777913961929563.jpg

AKP-ja liroi 10 prona shoqërore të uzurpuara në veri

Publikuar: 02/03/2018

Në kuadër të aktiviteteve për lirimin e pronave të ndërmarrjeve shoqërore nga uzurpues apo shfrytëzues të tyre pa kontrata të qirasë, Agjencia Kosovare e Privatizimit liroi dhe mori nën administrim edhe dhjetë prona shoqërore në pjesën veriore të Mitrovicës, duke shënuar kështu një progres të madh në administrimin e të gjitha aseteve në pronësi shoqërore ashtu siç parashihet me mandatin ligjor të dhënë me Ligjin e AKP-së.

Fillimisht Agjencia, me asistencën e Policisë së Kosovës, ka liruar një pronë të ndërmarrjes shoqërore “Lux”, ndërkaq pas intervenimit dhe lirimit të këtij lokali, në nëntë raste të tjera shfrytëzuesit e pronave kanë shprehur gatishmërinë për të njohur autoritetin administrativ të AKP-së dhe kanë nënshkruar kontrata të qirasë.

Të dhjetë lokalet që administrohen tani nga AKP janë asete të ndërmarrjes shoqërore “Lux”.

Trajtimi i këtyre rasteve të uzurpimeve apo shfrytëzuesve të paligjshëm ishte objektiv i Agjencisë, me qëllim të ofrimit të sigurisë për investitorët e interesuar për pjesëmarrje në procesin e privatizimit.