Ekonomi http://mediapress.al/wp-content/uploads/2017/05/rikthehenkolonatdhepritjetegjataneumlkufimeserbineumlhd780x43926648.jpg

BQK-ja kërkon uljen e numrit të automjeteve të paregjistruara

Publikuar: 10/06/2018

Pavarësisht premtimeve të shumta, edhe sivjet Kosova si duket nuk do të jetë pjesë e Kartonit të Gjelbër.

Qytetarët e Kosovës që jetojnë dhe punojnë nëpër vende të ndryshme të botës gjatë vizitës së sivjetme në Kosovë sërish do të duhej ta paguajnë “plaçkën” kufitare, shkruan “Zëri.info”.

Mosanëtarësimi i Kosovës në Organizatën e Kombeve të Bashkuara dhe numri i madh i automjeteve të paregjistruara vazhdojnë të mbeten sfidë kryesore për sigurimin e Kartonit të Gjelbër.

Banka Qendrore e Kosovës (BQK) tashmë ka filluar angazhimin e saj rigoroz lidhur me këtë çështje.

Në takime intensive me zyrtarë kompetentë ata po kërkojnë zvogëlimin e automjeteve të paregjistruara.

“Banka Qendrore e Kosovës ka një kohë të gjatë që është e angazhuar në zgjidhjen e çështjes së Kartonit të Gjelbër. Ky angazhim është rritur kohëve të fundit bashkë me institucionet tjera të vendit me qëllim të plotësimit të kushteve nga ana e Kosovës në mënyrë që qytetarët e Kosovës të mos kenë më pengesa për të lëvizur me automjetet e tyre në vendet tjera, si dhe mërgimtarët të mos detyrohen të paguajnë në emër të Kartonit të Gjelbër. Një problem që e kemi është mosanëtarësimi i Kosovës në OKB, ndryshe të gjitha kriteret tjera janë të plotësuara”, thuhet në përgjigjen me shkrim të këtij institucioni dhënë gazetës “Zëri”.

Guvernatori Fehmi Mehmeti ditë më parë pati takim me ministrin e Punëve të Brendshme Bejtush Gashin për kërkimin e një alternative që do të çonte në zgjidhjen e këtij problemi.

“BQK-ja është vazhdimisht në diskutim me të gjitha institucionet që të kalojmë këtë sfidë dhe të gjejmë modalitete për të shitur Kartonin e Gjelbër. Temë kryesore e takimit të guvernatorit Fehmi Mehmeti me ministrin Gashi ka qenë pikërisht ulja e numrit të automjeteve të paregjistruara. Guvernatori ka adresuar shqetësimin dhe ka kërkuar nga ministri Gashi që të ndërmerren masat për të ulur numrin e automjeteve të paregjistruara, të cilat po paraqesin problem serioz për anëtarësimin e Kosovës në Kartonin e Gjelbër”, thuhet tutje në përgjigje. /Zëri