Financa http://mediapress.al/wp-content/uploads/2018/04/damian_gjiknuri.jpg

Gjiknuri flet më në fund për taksën e autostradës

Publikuar: 14/04/2018

Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Damian Gjiknuri deklaron se po vijojnë negociatat me koncesionarin dhe komunitetet lokale të Qarkut të Kukësit për çështjen e tarifës së kalimit.

Ministri i shoqëruar nga drejtori i Autoritetit Rrugor Shqiptar Afrim Qendro, inspektuan në Kukës kantierin e hapur në një prej urave të cilat po dublohen.

Ministri tha se po flitet për tarifë të reduktuar për banorët e Kukësit dhe u shpreh besimplotë se përpara se të fillojë dhe njëherë funksionimi i pagesave të Toll-it, ne do të kemi një zgjidhje. 

Por ende nuk flitet sa do të jetë kjo tarifë.

“Jemi duke negociuar me koncesionarin por njëkohësisht duke u konsultuar edhe me popullatën për të gjetur një zgjidhje për një tarifë të reduktuar për banorët e këtyre zonave, sidomos për transportin publik dhe qytetarët që e përdorim më shpesh rrugën Kukës-Tiranë. Nga ana tjetër, dua të them që kemi filluar edhe me evidentimin e të gjitha mjeteve që janë të targuara në Kukës.  

Jemi duke bërë krahasimet me banorët që janë pjesë e këtij komuniteti dhe që i zotërojnë këto mjete, në mënyrë që të trajtohet ajo fashë e njerëzve që preken nga ky koncesion dhe që jetojnë në Qarkun e Kukësit. 

Është një proces i filluar mirë dhe besoj brenda një periudhe shumë të shkurtër, përpara se të fillojë dhe njëherë funksionimi i pagesave të Toll-it, ne do të kemi një zgjidhje.  

Besoj do jetë shumë e pranueshme por njëkohësisht nuk cënon edhe efektivitetin e kontratës, nuk cënon mbarëvajtjen e kontratës për mirëmenaxhimin e kësaj rruge”