Financa http://mediapress.al/wp-content/uploads/2018/03/fehmi-mehmeti-2.jpg

Guvernatori i BQK-së në takimet pranverore të FMN-së dhe BB-së

Publikuar: 17/04/2018

Guvernatori i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës, Fehmi Mehmeti do të marrë pjesë në takimet e rregullta pranverore vjetore të Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe të Bankës Botërore, të cilat do të zhvillohen në Uashington nga data 16-22 prill 2018.

Përveç pjesëmarrjes në sesionin plenar të FMN-së dhe Bankës Botërore, Guvernatori Mehmeti pritet të marrë pjesë edhe në mbledhjet e Konstituencës për Evropën Qendrore dhe Lindore në FMN dhe të Konstituencave përkatëse të FMN-së dhe Bankës Botërore.

Gjatë ditëve të qëndrimit në Uashington Guvernatori Fehmi Mehmeti do të zhvillojë po ashtu takime me zyrtarë të Departamentit të Thesarit Amerikan, homologë të bankave nga vende të ndryshme, si dhe përfaqësues të institucioneve të tjera financiare ndërkombëtare.

Këto takime të Bordeve të Guvernatorëve të Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe të Bankës Botërore të Bordeve të Guvernatorëve të Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN) dhe Bankës Botërore (BB) sjellin së bashku në këto aktivitete, guvernatorë, bankierë qendrorë, ministra të financave dhe zhvillimit, parlamentarë, drejtues të sektorit privat, përfaqësues nga organizatat e shoqërisë civile dhe akademikë për të diskutuar çështje të shqetësimeve globale, përfshirë perspektivën ekonomike botërore, çrrënjosjen apo eliminimin e varfërisë, zhvillimin ekonomik dhe efektivitetin e ndihmës përmes fondeve dhe asistencave.

Po ashtu organizohen edhe seminare, konferenca rajonale dhe shumë ngjarje të tjera të fokusuara në ekonominë globale, zhvillimin ndërkombëtar dhe sistemin financiar botëror.

Aktivitetet e këtij viti do të zhvillohen në Uashington, DC, prill 16-22.

Në delegacionin e Kosovës që do të marrë pjesë në këto takime, e që kryesohet nga Ministri i Financave, Bedri Hamza, nga BQK-ja përveç Guvernatorit Mehmeti është edhe Kryetari i Bordit të BQK-së, Flamur Mrasori.