Biznes http://mediapress.al/wp-content/uploads/2017/10/euro1780x43932613.jpg

Keshi drejt zhdukjes edhe në Gjermani

Publikuar: 18/03/2018

Sipas një studimi të fundit nga “Bundesbank”, paraja “cash’ nuk përbën më pjesën më të madhe të transaksioneve në Gjermani.

Sondazhi i Bankës Qendrore të Gjermanisë drejt 2,000 personave tregoi se pagesat me karta po fillojnë të rriten në mënyrë graduale në vend, pavarësisht se metoda e preferuar mbetet ende “cash-i”.

“Përdorimi i parasë fizike mbetet metoda më popullore, megjithatë, pagesat me karta po rriten”, tha anëtari i bordit të “Bundesbank“, Carl-Ludwig Thiele gjatë prezantimit të sondazhit, përcjell albinfo.ch.

Paraja “cash” zinte 47.6% të volumit total të transaksioneve vitin e kaluar, në rënie nga 53.2% që ka qenë tre vite më parë dhe duke rënë për herë të parë poshtë 50 % që kur ka nisur anketimi i “Bundesbank” në vitin 2008.

Kartat përbënin 39.4% të totalit të transaksioneve në 2017-ën, krahasuar me 33% në 2014-ën, duke reflektuar një tendencë globale që ka qenë prej kohësh prezente në vende të tjera përfshirë Suedinë dhe Britaninë, shkruan “Scan”.

Pagesat në internet janë rritur gjithashtu, por mbeten në një nivel modest prej 3.7% të volumit total.

Gjermanët dhe austriakët janë përdoruesit më të mëdhenj të parasë “cash” ndër vendet më të pasura të Eurozonës, sipas një studimi të fundit nga Banka Qendrore Evropiane.

Kjo preferencë është lidhur me shqetësimet mbi privatësinë dhe një pasigurie të rrënjosur thellë drejt shtetit, që sipas analistëve daton që nga periudha e Gjermanisë komuniste.

Sondazhi i “Bundesbank” tregoi se shumica e gjermanëve mendojnë se paraja “cash” është e dobishme për të mësuar fëmijët mbi përdorimin e parasë dhe për të siguruar një kontroll më të mirë të financave personale.

Shumica e të anketuarve mendonin gjithashtu se heqja e bankomteve dhe monedhave do të shkaktonte probleme për disa pjesë të popullsisë, kryesisht të moshuarit, ndërsa vetëm 1/3-a u përgjigjën se e shohin si një mënyrë për të luftuar evazionin fiskal dhe pastrimin e parasë.