Diaspora jonë http://mediapress.al/wp-content/uploads/2020/07/Lansimi_foto_1.png

Diaspora e gatshme të kontribuoj në vendlindje



Organizata Germin ka publikuar raportin nga hulumtimi me mbi 921 ekspertë nga diaspora mbi angazhimin profesional në venet e origjinës.

Publikimi u përcoll me një diskutim në platformën virtuale ZOOM, ku panelistë ishin: Z. Pandeli Majko, Ministër i Shtetit për Diasporën, Republika e Shqipërisë;  Z. Bekim Brestovci, Zv. Ministër i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Republika e Kosovës; Znj. Suela Kalia dhe Z. Xhelal Derguti nga Shoqëria Gjermane për Bashkëpunimin Ndërkombëtar (GIZ) – Kosovë; Z. Ilir Gedeshi, Qendra për Studime Ekonomike dhe Sociale (CESS); dhe  Znj. Rozeta Kokalari, Profesioniste nga Diaspora, Menaxhere Seniore, KPMG – Gjermani.

Hulumtimi u realizua përmes një ankete me 921 profesionistë të diasporës, të cilëve u referohemi ‘si njerëz të kualifikuar dhe të aftë me prejardhje migracioni, të cilët dëshirojnë të mbështesin vendin e tyre të origjinës duke e vënë në përdorim ekspertizën e tyre’, siç përcaktohet nga Qendra për Migrim dhe Zhvillim Ndërkombëtar (CIM).

TË GJETURAT KRYESORE
Shumica e të anketuarëve janë të gatshëm (76%) për të ofruar kontributin e tyre në vendin e origjinës.

Të anketuarit pohuan se ata do të ishin në gjendje të angazhoheshin fizikisht duke vizituar vendin amë ose virtualisht përmes platformave në internet.

Ky konstatim i studimit është domethënës pasi tregon një interes të menjëhershëm për angazhim dhe fleksibilitet në çfarëdo forme për kontribut dhe ndikim pozitiv në vendin amë/e origjinës.

Me gjithë gatishmërinë e lartë, më shumë se gjysma e të anketuarve kanë nevojë për një lehtësim për t’u angazhuar përmes këtij programi në formën e ftesës zyrtare nga organizatorët në fushën e punës (53%) dhe marrjen e një oferte serioze me objektiva të qarta për kontribut përmes punës së tyre (15%).

Përveç këtyre stimujve, rreth katër përqind e të anketuarve do të kishin nevojë për një ofertë dhe kushte të qarta të punës para angazhimit, dhe katër përqind e tjerë kanë përmendur që të kenë fleksibilitet përsa i përket angazhimit të tyre gjatë gjithë vitit si dhe njoftim paraprak për të bërë marrëveshje me punën e tyre në shtetin rezident.

Rreth një e treta e të anketuarve do të ishin të gatshëm të angazhohen si profesionistë në vendin e tyre, me kusht që angazhimi të ofrojë shpërblime financiare sipas standardeve ekonomike të shtetit rezident dhe të përshtatet me ekspertizën e tyre profesionale. 

Për shumë të anketuar, opsioni më i preferuar për angazhim do të ishin periudha të caktuara brenda vitit, si 4 deri në 6 javë në periudha të ndryshme kohore (44%).

Rreth 21 përqind raportuan se ata do të ishin në gjendje të kryenin nga 3 deri në 6 javë brenda vitit në vendin e tyre.

Ndërsa, rreth 14 përqind e të anketuarve raportuan se nëse do kishin mundësi, ata do të angazhoheshin për më shumë se 6 muaj dhe potencialisht do të banonin në vendlindje përgjithmonë. 

Shumë prej pjesëmarrësve në këtë studim pohuan se besojnë se aftësitë e tyre mund të jenë shumë të dobishme për zhvillimin e vendit të origjinës (63%) ndërsa 27 përqind besojnë se aftësitë e tyre mund të jenë deri diku të dobishme.

Ndërsa 54 përqind besojnë se do të ishin shumë dhe deri diku të suksesshëm nëse do të ktheheshin, 25 përqind mbajnë pikëpamje neutrale për këtë çështje dhe 21 përqind besojnë se ata do të ishin jo aq të suksesshëm ose aspak të suksesshëm.

REKOMANDIMET
Njohja me profesionistët shqiptarë të diasporës; njihuni me shpërndarjen e tyre, dëgjojini dhe kuptojini

Institucionet shtetërore duhet të përdorin mekanizma të shumtë për mbledhjen e informacionit dhe të dhënave për të krijuar një profil të diasporës, i cili shpjegon karakteristikat kryesore të diasporës, ekspertizën e tyre, si dhe nevojat e anëtarëve dhe organizatave të diasporës.

Ambasadat dhe Konsullatat e Kosovës dhe të Shqipërisë duhet të jenë më aktive në marrjen e informacionit të azhurnuar në lidhje me qytetarët që jetojnë jashtë.

Ky studim riafirmon që diaspora shqiptare është shumë e larmishme për sa i përket sfondit profesional, por gjithashtu rikonfirmon lidhjen e fortë dhe gatishmërinë e saj për të kontribuar në vendet e origjinës – vendet amë.

Sidoqoftë, treguesit e këtij studimi rrjedhin nga një mostër e vogël, dhe është shumë e nevojshme që diaspora profesionale të njihet më shumë dhe në më shumë nuanca.

Pa pasur njohuri të duhur për profilet e diasporës, është shumë e vështirë për vendet e origjinës të hartojnë politika adekuate për angazhimin e saj dhe ndikimin pozitiv në proporcion me potencialin që ata kanë.

Të fuqizohen grupet dhe organizatat e diasporës
Fuqizimi i grupeve dhe organizatave të diasporës është një faktor shumë i rëndësishëm që ndikon në përkushtimin e diasporës për një angazhim më intenziv dhe të strukturuar në vendet e origjinës.

Organizatat me bazë dhe/ose të orientuara në diasporë lehtësojnë integrimin dhe ofrojnë mbështetje për migrantët në vendet rezidente por edhe ato të origjinës.

Kjo i bën ata aktorë të rëndësishëm, gjë që duhet të njihet dhe vlerësohet.

Prandaj, ne e konsiderojmë fuqizimin e grupeve dhe organizatave të diasporës si një proces të domosdoshëm për përfshirjen e tyre në zhvillimin e vendeve të origjinës.

Fuqizimi nënkupton forma të ndryshme të mbështetjes, duke filluar nga mbështetja institucionale e deri tek mbështetja financiare që u ofrohet organizatave të diasporës për të rritur kapacitetet e tyre.

Kjo e fundit, për shembull, mund të sigurohet përmes një skeme të financimit institucional, e siguruar nga vetë qeveria ose aktorë të tjerë, të tillë si organizata ndërkombëtare ose agjensi zhvillimi.

Zhvillimi i një platforme shumë-funksionale që lidhë profilet e profesionistëve të diasporës me sektorin publik dhe privat në vendet e origjinës

Ekziston një nevojë urgjente që qeveria të bashkëpunojë me sektorë të ndryshëm (publik dhe privat) në mënyrë që të hartojë një platformë shumë-funksionale që synon të rimendojë angazhimin e komuniteteve tona jashtë vendit dhe të ndryshojë mënyrën tradicionale se si ne e kemi parë diasporën tonë.

Kjo është veçanërisht e rëndësishme sepse nëse analizojmë vendet që kanë përvojë dhe strategji të suksesshme në angazhimin e diasporës (Irlanda, Izraeli, India), shohim se rezultati vjen nga njohja, krijimi i rrjeteve,  partneriteti dhe qasja e koordinuar e shumë palëve të përfshira në këtë proces.

Për më tepër, duke kuptuar potencialin e këtij burimi njerëzor të pashfrytëzuar, ne duhet ta shohim diasporën si një pikë hyrëse, lehtësuese dhe aset diplomatik, e cila duke u takuar në një platëformë të shumë-funksionale do të hapte mundësi të reja.

Të krijohet hapësirë për angazhimin e profesionistëve të diasporës në institucionet publike të Kosovës dhe Shqipërisë, të cilat kanë mungesë të njohurive dhe aftësive të avancuara në sektorët kryesorë

Për shkak të mungesës së njohurive në sektorët kryesorë, institucionet e Kosovës dhe Shqipërisë kanë nevojë të madhe për ekspertizë dhe mentorim. Të dyja lehtë mund të fitohen nga profesionistë të diasporës nëse krijohet hapësira e nevojshme.

Shumica e të anketuarve dhe të intervistuarve të këtij studimi besojnë se aftësitë dhe njohuritë e tyre të fituara jashtë vendit do të ishin shumë të dobishme për zhvillimin e vendeve të origjinës, dhe ata janë të gatshëm të kontribuojnë në transferimin e njohurive të tyre.

Më pak se një e katërta e tyre kanë pasur mundësinë të jenë të angazhuar profesionalisht në këto vende, ndërsa gjysma e çerekut janë ftuar.

Mungesa e programeve të shkëmbimit, si dhe një kulturë e mbyllur dhe nepotiste e administratës publike të shteteve përkatëse janë ndër arsyet që nuk kanë lejuar hapësirë për ekspertizën e diasporës.

Kjo është arsyeja pse një shumicë e lartë (74%) e të anketuarve nga kjo anketë mendojnë se nisma e Germinit (e mbështetur nga GIZ), vjen në kohën e duhur duke marrë parasysh që diaspora ka shumë potencial për të ndikuar pozitivisht në vendet e origjinës.

Vetëm disa besojnë se iniciativa është shumë e dobishme, por deri diku e vonuar sepse diaspora është deri diku e dekurajuar dhe i mungon interesi për të kontribuar.

Për të shmangur këto të fundit, institucionet shtetërore në Kosovë dhe Shqipëri duhet të ofrojnë më shumë hapësirë për angazhimin e profesionistëve të diasporës, veçanërisht në sektorët që kanë mungesa përsa i përket aftësive dhe njohurive teknike të avancuara.

Të përmirësohet koordinimi midis niveleve të ndryshme të qeverisjes dhe institucioneve ndër-shtetërore dhe të rritet gjithëpërfshirja në procesin e angazhimit të diasporës.

Angazhimi i diasporës është një proces i ndërlikuar që përfshin shumë tema dhe sektorë (ekonomikë, politikë, kulturorë dhe social).

Ky proces përfshin një varg organesh dhe nivelesh institucionale kombëtare dhe lokale.

Në këtë drejtim, identifikimi i palëve të interesuara të duhura dhe koordinimi midis niveleve të ndryshme të qeverisjes dhe institucioneve është thelbësor.

Për më tepër, duke pasur parasysh që orientimi i diasporës shqiptare drejt atdheut është i drejtuar në më shumë sesa një vend/shtet, angazhimi i saj është çështje e të paktën dy shteteve, prandaj koordinimi edhe i institucioneve ndër-shtetërore është shumë i nevojshëm, siç është bashkëpunimi përmes një qasje gjithëpërfshirëse në zhvillimin e politikave, të qëndrueshme dhe të orientuar nga e ardhmja.

Të fundit

Grenell kërkon votën e shqiptarëve në Michigan

Emisari i presidentit Trump për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell, ka zhvilluar një fushatë elektorale me shqiptarët republikanë në Michigan të SHBA-së. Takimi u mbajt më 20 tetor 2020,

Mama Bar – si përballet bari kult me pandeminë?

Një dhomë e errët, mobilie retro, muzikë afrikane nga altoparlantët, pas banakut baristja letoneze me sytë e qeshur – goja e hunda të mbuluara sipas etiketës pandemike) kujdeset që të

Anaida Deti, stomatologia që po hap rrjetin e saj të klinikave në Kanada

Anaida Deti është larguar nga Shqipëria në 1997.  Pasi jetoi mbi 5 vite në Itali, u zhvendos në Kanada. Studimet e saj në Stomatologji në Itali nuk iu njohën dhe iu desh të nisë gjithçka

Njihuni me shqiptarin me çifteli që po çmend yjet botërore

Jurgen Pecnikaj, 25-vjeçari me origjinë nga Tropoja është një djalë shumë i talentuar në muzikë. Jurgeni jeton në Gjermani dhe puna që bën nuk ka lidhje me muzikën, megjithatë ai e sheh

Italia miraton ligjin e ri për emigrantët shqiptarë, kush punon merr leje qëndrimi

Italia ka miratuar një draft të ri ligjor, duke u ardhur në ndihmë të gjithë emigrantëve që duan të punojnë atje, duke i lehtësuar marrjen e leje qëndrimit. Me anë të këtij ligji të ri

Shpërndahen 17 mijë tekste shkollore për nxënësit në diasporë

Nëpërmjet një reagimi në Facebook, Ministri në detyrë për Evropën dhe Punët e Jashtme, Gent Cakaj, bëri me dije se për të dytin vit radhazi, në bashkëpunim të ngushtë të Ministrisë p

Info Tjera