Gjirafa, Frakton dhe tri kompani tjera kosovare, në top-listat e Deloitte – për zhvillim të shpejtë
Pesë kompani kosovare janë zgjedhur në top-listat e Deloitte, si kompanitë me zhvillim të shpejtë, me ndikim dhe në rritje në Evropën Qendrore.
Sipas një njoftimi të kompanisë prestigjioze kosovare Gjirafa, kjo kompani është njohur nga Deloitte si kompani teknologjike me rritje të shpejtë; në pozicionin e 11-të në Evropën Qendrore dhe numër 1 në rajonin e Ballkanit.
“Sot është një moment historik i rëndësishëm. Që nga ditët e themelimit, ne kemi qenë në rritje eksponenciale. Ne jemi vërtet të nderuar nga Deloitte për këtë njohje”, ka shkruar në Facebook, Mergim Cahani, themelues dhe drejtor ekzekutiv i kompanisë.
Përveç kësaj kompanie, Deloitte ka njohur edhe kompaninë tjetër kosovare Frakton.

“Frakton është bërë një nga kompanitë e para të Kosovës që është paraqitur ndonjëherë në raportin prestigjioz Deloitte… Frakton është renditur e 16-ta në kategorinë Rising Star, një kategori që rendit kompanitë që tregojnë potencial të madh por janë shumë të reja për të përmbushur minimumin e katër viteve për kriterin e funksionimit për kategorinë kryesore Fast 50”, ka shkruar Frakton në Facebook.
Veç këtyre, tri kompani janë renditur ndër më të suksesshmet nga Deloitte, në kategorinë “Impact Star”. Bëhet fjalë për kompanitë Cacttus, ASSECO SEE, 3CIS J.S.C.