Pavarësisht pandemisë, qytetarët e Kosovës për 11 muaj kursejnë mbi 400 milionë euro
Pavarësisht vështirësive financiare që ka sjell pandemia COVID-19, qytetarët dhe bizneset e Kosovës për njëmbëdhjetë muaj kanë kursyer mbi 400 milionë euro.
Të dhënat e Bankës Qendrore të Kosovës mbi kreditë e reja, deri në nëntor të 2020-së, tregojnë se brenda këtyre muajve janë kursyer rreth 86 milionë euro më pak sesa periudha e vitit të kaluar.
Për këtë muaj janë kursyer 47 milionë euro, kurse një vit më herët kjo vlerë ishte 30.3 milionë euro.
Sipas BQK-së, deri në muajin nëntor 2020 janë kursyer 411.4 milionë euro, kurse një vit më herët kjo ishte 497.3 milionë euro. Pra, duke krahasuar periudhën 11-mujore të vitit aktual me atë paraprak, del se janë kursyer 85.9 milionë euro më pak.
Pjesën më të madhe të kursimeve e bëjnë ekonomitë familjare, krahasuar me atë të kompanive.
“Stoku i gjithsej depozitave në shtator 2020 shënoi rritje vjetore prej 8.6 për qind, e që paraqet përgjysmim të nivelit të rritjes krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar prej 16.4 për qind. Kjo rritje dukshëm më e ngadalësuar e depozitave krahasuar me periudhën parapake u ndikua në masën më të madhe prej depozitave të ekonomive familjare, pasuar nga ato të korporatave jofinanciare dhe atyre financiare, që po ashtu shënuan ngadalësim të rritjes”, thuhet në raportin “Vlerësimi tremujor i sistemit financiar, tremujori i tretë 2020”.BQK thotë se ekonomitë familjare kanë kursyer 284.3 milionë euro, kurse 127.1 milionë euro janë nga kompanitë, apo korporatat jofinanciare.