Biznesmenët shqiptarë bashkojnë forcat në një investim
Në Kriens të kantonit Lucern në Zvicër, përmes një aktiviteti të “Degës së Zvicrës Qendrore të Rrjetit të Bizneseve Shqiptare në Zvicër” dhe të “Unionit Invest AG” u inaugurua objekti i blerë nga 20 aksionerë shqiptarë.
Dje për herë të parë, në historinë e emigrantëve shqiptarë në Zvicër, u bë një hap praktik, që ka munguar deri tani.
Për të arritur qëllimin final, paraprakisht pronarët e firmave shqiptare të këtij regjioni bashkarisht grumbulluan mjete të konsiderueshme për investime të përbashkëta.
Ky union bëri edhe hapin e parë praktik, duke blerë në mënyrë të përbashkët një objekt.
Po në këtë godinë dje u takuan mbi 30 shqiptarë, kryesisht nga Kriensi.
Kryetari i “Degës së Zvicrës Qendrore të Rrjetit të Bizneseve Shqiptare në Zvicër”, Florim Useini, përshëndeti të pranishmit, gjithashtu kryesuesi i “Unionit Invest AG”, Mehdi Avdijaj, kryetari i Rrjetit të Bizneseve Shqiptare në Zvicër, Qamil Isufi, Skenderbeg Klaiqi, kryetar dhe themelues i Lobit Shqiptar, që kishte ardhur nga Gjermania për të marrë pjesë në këtë tubim përurues, si dhe kryetari i Shoqatës “Bashkimi” në Uster të Cyrihut, Guximtar Alushi.