Zeka: Buxheti i Kosovës është i kufizuar, i vështirë zbatimi i zotimeve të LVV-së
Megjithatë, sipas Zekës, nëse shteti arrin të luftojë ekonominë joformale, e cila llogaritet të jetë deri 30 për qind e Produktit të Brendshëm Bruto në Kosovë, atëherë arka e shtetit do të rritet dhe do të mundësohet realizmi i atyre zotimeve.
“Në rrethana të tilla, kur ekonomia joformale është në një shkallë të lartë dhe buxheti i vendit është i kufizuar, është i vështirë zbatimi i zotimeve të LVV-së, pa rritur edhe normat e tatimeve ekzistuese”, thotë Zeka për Radion Evropa e Lirë.
Buxheti i Kosovës për vitin 2021 kap vlerën e 2.4 miliardë eurove dhe përgjatë viteve nuk ka pasur buxhet më të madh se ky, i cili është në këtë vit.
Krijimi i Fondit Sovran, Banka Zhvillimore e Kosovës, punësimi deri në një vit të plotë për të gjithë të rinjtë (mosha 16-18 vjeç), janë vetëm disa nga prioritetet në aspektin ekonomik në planprogramin e LVV-së.
Kjo parti ka paraparë edhe anëtarësimin e Kosovës në Fondin Ndërkombëtar për Zhvillimin e Bujqësisë. Në mënyrë që të sigurohet një treg vendor, që sipas LVV-së nuk përbuz mundin e fermerëve, kjo parti do të sigurohet që të ketë çmime dysheme për kulturat kryesore bujqësore e blegtorale.
Në këtë fuqizim, LVV ka premtuar se do ta financojë bujqësinë për çdo vit deri në 100 milionë euro.
Futja e çmimeve referente për një sërë produktesh bazike bujqësore, midis tyre edhe për grurin dhe qumështin, është paraparë po ashtu në planprogramin e LVV-së, me të cilin ka garuar për të udhëhequr shtetin e Kosovës. Ish-ministri i Ekonomisë dhe Financave, Haki Shatri në një prononcim për Radion Evropa e Lirë, thotë se partia fituese e zgjedhjeve të 14 shkurtit, në planprogram nuk ka precizuar se në çfarë mandati do t’i bëjë ato zhvillime në ekonomi, pasi sipas tij, edhe në menaxhimin më të mirë, vështirë se ato premtime mund të realizohen.
Kosova, shton ai, ka të trashëguara probleme të mëdha ekonomike.
“Buxheti prej 2.4 miliardë eurove nuk do të mjaftojë as t’i shërojë këto plagët e pandemisë që janë. Ka shumë vështirësi… Papunësia, varfëria të gjitha problemet strukturore të ekonomisë. Nëse 10 për qind e zotimeve mund të realizohen në këtë vit dhe vitet në vazhdim, do të jetë sukses i mirë”, thotë Shatri.
LVV ka paraparë po ashtu rritje të skemave sociale. Aktualisht, baza e politikave sociale në Kosovë përbëhet nga skema të shumta sociale e pensionale. Në këto kategori hyjnë mbi 420 mijë qytetarëve të Kosovës dhe nga buxheti i shtetit çdo vit ndahen deri në 400 milionë euro.