Mbrapa

Lulzim Rafuna: Blerjet online deri në 130 euro (Video)

Publikuar: 05.08.2015

Deri në tremujorin e fundit të këtij viti, blerësit e shumtë të mallrave të ndryshme nga interneti do të kenë mundësinë të blejnë mbi 40 euro mallra pa paguar asnjë cent tatim.

Në ciklin e intervistave të Mediapress, drejtori i Doganave të Kosovës, Lulzim Rafuna ka thënë se ndryshimi i kësaj shume do të bëhet pasi të ndryshojë kodi i doganave dhe i akcizës.

Sa i përket mallrave që vijnë përmes rrugëve, Rafuna ka thënë se 92% të mallrave që zhdoganohen nuk kontestohen nga bizneset, përderisa janë 8% e bizneseve që merren me import të tekstilit nga Kina dhe Turqia që kryesisht nxjerrin probleme.

Përkundër mos kontestimeve, numri i rasteve të bizneseve që janë dërguar nëpër gjykata për bizneset që kanë bërë evazion fiskal është 46.

Por, edhe në agjencinë që e drejton ka pasur raste të përfshirjes së oficerëve në raste të ndryshme joligjore.

Për gjashtë muaj janë suspenduar 7 doganier dhe 20 nëpër procedura disiplinore për shkelje të ndryshme, ndërsa vitin e kaluar kanë qenë 17 oficer doganor të suspenduar dhe 80 oficerë që kanë kaluar nëpër procedura të ndryshme doganore.

Përpos këtyre problemeve, Dogana është duke u përballur edhe me fenomenin disa vjeçar të ikjes së trurit.

Drejtori i Doganave, ka thënë se sektori privat po vazhdon t'i josh punëtorët shumëvjeçar dhe të shkolluar të kësaj agjencie, por se një fenomen i tillë nuk mund të ndalet pavarësisht përpjekjeve për të mbajtur strukturën aktuale.

Në dy pikat kufitare në veri të vendit, oficerët doganor do të vazhdojnë të udhëtojnë me vetura të blinduara, pavarësisht se nga momenti i hyrjes në fuqi të marrëveshjes së Brukselit nuk ka pasur ndonjë sulm ndaj tyre.

Këto dy pika dhe disa të tjera që janë në kufi më Serbinë do të përfitojnë nga fondet e BE-së për ndërtimin e pikave të përhershme kufitare.

Mirëpo deri sa do të vazhdojë të vlejë vija e gjelbër në kufi me këtë vend, do të vazhdoj edhe kontrabanda, sidomos me gjedhe, pavarësisht masave të ndërmarra për uljen e nivelit të kontrabandës.

Rafuna ka bërë të ditur se me kërkesë të Bashkimit Evropian i janë dërguar një ekipi të kësaj të fundit të gjitha dokumentet për mënyrën e funksionimit të Doganave, e cila do të përdoret për modernizimin e Doganave të Ukrainës.

Drejtorit që i kanë mbetur vetëm edhe një vit mandat në krye të kësaj agjencie që do të bëhet bashkë me ATK-në në një agjenci të vetme, ende nuk ka marrë vendim nëse do të konkurrojë për të qenë në krye të Agjencisë për mbledhjen e të hyrave që do të ketë të punësuar 1.300 oficer doganor dhe tatimor. 

/MediaPress