Mbrapa

Memli Krasniqi: Bujqit që kanë kontratë me shtetin, u duhen ulur kamatat e kredive

Publikuar: 06.09.2015

Rritja e madhe e numrit të bujqve që kanë konkurruar për përfitim të granteve dhe subvencioneve, mungesa e stafit në Agjencinë e Pagesa, masat për parandalimin e humbjes së tokës së punueshme, si dhe kamatat e larta të kredive janë vetëm disa prej sfidave që ka para vetes Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Memli Krasniqi.

Këtë vit sipas të dhënave janë mbi 40 mijë bujq që kanë aplikuar për subvencione dhe 2 mijë të tjerë për grante që tejkalon disa herë shumën prej 43 milionë eurove të ndara për këto dy kategori.

Ministri, Krasniqi ka thënë se faktor për rritjen e numri të bujqve që kanë konkurruar është edhe rritja e numri të pagesave direkte dhe shtimi i fushave që mbështeten me fonde nga kjo ministri.

Krasniqi ka thënë se qasja e ministrisë është që bujqit më shumë të fokusohen tek pemëtaria dhe prodhimtaria që sipas tij do të ndikojnë në rritjen e fuqisë së tyre ekonomike, por edhe të punësimit të njerëzve.

Sa i përket ankesave të bujqve për kualitetin e dobët të pesticideve dhe farërave, ai ka thënë të ketë marrë ankesa të tilla nga bujqit, por se ministria që e drejton nuk ka asnjë kompetencë në kryerjen e kontrolleve.

Megjithatë, ka përmendur planin që kjo ministri ka për fidanët.

Përpos sfidave të ndryshme në këtë sektor, kjo ministri gjatë këtij viti ka pasur probleme të mëdha me mungesën e stafit.

Përkundër se në të gjitha raportet është përmendur numri i madh i të punësuarave në administratën shtetërore, kësaj ministrie i kanë dalë në ndihmë të përkohshme institucionet ndërkombëtare, për çka Krasniqi thotë të mos jetë ndjerë mirë me këtë zhvillim që sipas tij, do ta përcjell edhe më tutje.

Një sfidë të madhe Ministria e Bujqësisë e ka edhe humbjen e tokës bujqësore.
Krasniqi ka thënë se askush nuk e di saktë se sa tokë bujqësore është humbur, pavarësisht se pas luftës ka qenë e pritshme që një pjesë e kësaj toke do të prekej nga investime infrastrukturore.

Ai ka bërë të ditur se janë në bisedime me Bankën Botërore që kjo e fundit të angazhoj ekspertë për të realizuar projektin në bashkëfinancim për investime në sektorin e ujitjes.

Krasniqi ka thënë se Kosova ka mungesë të madhe të ekspertëve që mund të bëjnë projekte të mëdha të kësaj natyre, andaj ka kërkuar ndihmën e këtij institucioni, i cili edhe në vitet e mëhershme të paraluftës ka realizuar investime në sektorin e ujitjes në vendin tonë.

Të gjitha këto plane dhe mundësitë që ka Kosova për rritje të prodhimtarisë bujqësore po i minojnë normat e larta të kredive për sektorin e bujqësisë.

Pavarësisht se Ministria e Bujqësisë me USAID-in kishin realizuar fondin për investime të kredive, kjo ka ndikuar shumë pak që bankat të ulin normat, të cilat vazhdojnë të mbesin dyshifrore.

Sa u përket ankesave të bujqve për probleme me plotësim dokumentesh, Krasniqi ka thënë se janë duke punuar që të heqin ndonjë nga dokumentet që mund të mënjanohen nga procesi i konkurrimit, por se ligji është sipas kushteve të BE-së dhe se nuk mund të hiqen të tërat.

Ai ka thënë se kur Kosovës ti jepet mundësia që të marrë fonde të IPA-s, numri i dokumenteve që bujqit duhet ti plotësojnë do të jetë disa herë më i madh se ai që është momentalisht në këtë ministri.

I pyetur se cilin nga postet dhe profesionet do ta mbante, po ti vinte edhe një herë mundësia për ta zgjedhur, Krasniqi ka thënë se ai është i gatshëm ti hyjë çdo sfide, por tash për tash do ti mbetet besnik të qenit në krye të Ministrisë së Bujqësisë, që sipas tij ia ka bërë shumë në merak edhe shoku i tij, ish-ministri i bujqësisë, Blerand Stavileci dhe besimi i dhënë nga kryetari i partisë, Hashim Thaçi.

/MediaPress