Mbrapa

Lutfi Zharku: Ska logjikë që 99% e automjeteve të dalin OK nga kontrollet teknike!

Publikuar: 12.07.2015

Dallaveret në dhënien e testit për patentë shofer kanë qenë arsyet e ndryshimit të strukturës së ekzaminerëve të Ministrisë së Infrastrukturës.

Në intervistën e parë nga cikli i intervistave që "Media Press" do t'i sjell për të gjithë lexuesit javëve në vijim, ministri i Infrastrukturës, Lutfi Zharku ka thënë se edhe hetimet e brendshme, por edhe ato të auditimit kanë shtyrë policinë të nis hetimet.

Ai ka pranuar të ketë dëgjuar për raste korruptimit, por që vendimet nuk janë marrë nga këto informata pasi që asnjë person nuk ka raportuar në polici për këso rastesh.

Pjesa dërrmuese e parave për investime kapitale shkon në ndërtim të autostradës Prishtinë-Shkup.

Zharku thotë se në aspektin politik po të ishte LDK-ja në pushtet nuk do të niste ndërtimi i saj pasi që përpos problemeve që mund të shkaktonte në buxhet kjo parti ka pasur edhe vërejtje tjera.

Sa i përket shembjeve të shumta në autostradën "Ibrahim Rugova", kjo ministri po pret ardhjen e ekspertëve kroat, por në letër i ka disa shkaqe pse kanë ndodhur këto shembje.

Ministria që drejton Zharku po e shqyrton idenë e shtetit hungarez për mënyrën e mbledhjes së parave nga shfrytëzuesit e autostradave në vend, ndërsa ka thënë se janë duke shikuar disa propozime për të zëvendësuar pajisjet e vjedhura në autostradë.

Në dy magjistralet Prishtinë-Pejë dhe Prishtinë-Mitrovicë kanë nisur me intensitet më të madh punimet, ku në punimet për këtë vit do të përfundojnë në fshatin Stanovc të Vushtrrisë, përkatësisht në Kiev të Klinës.

Ai ka thënë se Bashkimi Evropian ka propozuar licencimin e një kontrolle mobile, e cila bashkë me policinë rrugore do t'i ndal për kontroll veturat, pavarësisht se kanë kryer kontrollin teknik.

Autostrada Besi-Merdare do të jetë projekti i parë që do të marrë mbështetjen nga Procesi i Berlinit, ndërsa lista finale e projekteve të shteteve pjesëmarrëse në të do të bëhet gjatë muajit gusht.

/MediaPress