Mbrapa

Valdet Gjinovci: Ushqimi i sigurtë, kontrabanda ende pikë e zezë (Video)

Publikuar: 27.12.2015

Gjatë festave të fundvitit, qytetarët blejnë dhe konsumojnë më së shumti ushqime.

Kjo padyshim se e rrit rrezikun për kualitetin e tyre, sigurinë, por edhe masat e ndërmarra që të mos lejohen shitjet e produkteve të palejueshme në treg.

Në intervistën dhënë për Mediapress, kryeshefi i Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinës, Valdet Gjinovci ka thënë se 2015-a ka qenë i mbarë sa i përket masave të ndërmarra për kontrollin e ushqimit.

Sipas tij, përpos masave është rritur vetëdija si e kompanive, ashtu edhe e qytetarëve në kontrollin më të mirë të ushqimit që e blejnë.

Gjinovci ka thënë se më 2015 kanë ndërmarrë edhe masa të hershme për repelimin e kafshëve me qëllim të mbrojtjes së tyre nga sëmundjet, por edhe nga rriqrat që janë të pranishme në një pjesë të vendit.

Si pjesë e programit të mbrotjes së popullatës është edhe ndërtimi i fabrikës për
grumbullimin e mbeturinave të kafshëve nga therrëtoret që sipas Gjinovcit, Kosova është përfituesja e parë e këtij projekti të BE-së ndër të gjitha vendet fqinje.

Bazuar në planin dinamik, fabrika nuk do të ketë vonesa në nisjen e punës dhe se kjo do të ndikoj padyshim shumë në uljen e numrit të qenëve endacak.

Pavarësisht këtyre zhvillimeve, kjo agjenci është përballur edhe me probleme.

Një prej problemeve kryesore, Gjinovci ka cekur pamundësinë e shtrirjes së funksionimit të Ligjit të Duhanit.

Tani është formuar një komision, i cili do të përcaktoj ndryshimet dhe masat që duhet ndërmarrë për funksionim të këtij ligji.

Me vendet e rajonit, me theks të veçantë me Shqipërinë edhe më 2015 kanë vazhduar pengesat për shkak të procedurave burokratike dhe mos njohjes së dokumentacionit të kësaj agjencie, pavarësisht se për të njëjtat ka kohë që janë arritur marrëveshjet mes dy institucioneve respektive.

Edhe pse ka pasur veprime, kontrabanda e kafshëve ka vazhduar të mbetet pikë e zezë.

Dhe kësaj situate i kanë kontribuuar goxha shumë gjykatat, të cilat përkundër se para vetes kanë pasur qindra dokumente e fotografi të recidivistëve, ata që do të duhej të luftonin këtë dukuri, nuk kanë ndërmarrë masa.

Për shkak të vazhdimit të kësaj situate, AUVK-ja, sipas Gjinovcit harxhon shumë para në kujdesin ndaj kafshëve të zëna kontrabandë, si dhe stafi i saj humb shumë kohë duke u marrë më këtë çështje.

Këtë vit u bë bujë e madhe çështja e grurit.

Megjithëse, kjo agjenci është kritikuar shumë nga Komisioni i Bujqësisë i Kuvendit të Kosovës, Gjinovci thotë të mos jetë dëmtuar institucioni që e drejton për faktin se të gjitha dokumentet e nevojshme që këtij komisioni i janë dashur, i janë dorëzuar.


 

/MediaPress