Si mbaroi Lufta e Parë Botërore
Në orën e 11-të, në ditën e 11-të të muajit të 11-të të vitit 1918, përfundoi Lufta e Madhe, e njohur më shumë si Lufta e Parë Botërore.
Në orën 5 të mëngjesit të 102 viteve më parë, Gjermania, e dhjetuar nga humbjet në njerëz, dhe e mbetur pa furnizime në front, u përball me rrezikun e një pushtimi të afërt.
Ndaj ajo u detyrua të nënshkruante një marrëveshje armëpushimi me Aleatët në një vagon treni në Kompienj të Francës.
Lufta e Parë Botërore, shkaktoi vdekjen e 9 milionë ushtarëve dhe plagosjen e 21 milionë të tjerëve, me Gjermaninë, Rusinë, Austro-Hungarinë, Francën dhe Britaninë e Madhe, që humbën secila nga gati 1 milionë ose më shumë jetë.
Përveç kësaj, të paktën 5 milion civilë vdiqën nga sëmundje, uria ose ekspozimi ndaj luftës.
Më 28 qershor 1914, në një ngjarje që konsiderohet gjerësisht si shkaku i shpërthimit të Luftës së Parë Botërore, Arkiduka Franc Ferdinandi, trashëgimtar i perandorisë Austro-Hungareze, u qëllua për vdekje në Sarajevë me bashkëshorten e tij nga serbi i Bosnjës Gavrilo Princip.
Ferdinandi ishte duke inspektuar forcat e armatosura perandorake të xhaxhait të tij në Bosnjë, pavarësisht kërcënimit të nacionalistëve serbë, që dëshironin që këto zotërime t’i bashkoheshin Serbisë.
Austro-Hungaria e fajësoi qeverinë serbe për sulmin, dhe shpresonte
ta përdorte incidentin si një justifikim për zgjidhjen një herë e përgjithmonë të problemit të nacionalizmit sllav.
Sidoqoftë, ndërsa Rusia mbështeste Serbinë, një shpallje e luftës nga Austro-Hungaria u vonua, derisa udhëheqësit e saj morën garancinë e udhëheqësit gjerman Vilhelmit II, se Gjermania do të mbështeste kauzën e tyre në rastin e një ndërhyrje ruse.

Më 28 korrik, Austro-Hungaria i shpalli luftë Serbisë, dhe paqja e paqartë midis fuqive të mëdha të Evropës u prish.
Më 29 korrik, forcat austro-hungareze filluan të bombardojnë kryeqytetin serb, Beogradin, ndërsa Rusia, aleatja e Serbisë, urdhëroi një mobilizim të trupave kundër Austro-Hungarisë.
Franca, aleate me Rusinë, filloi të mobilizohej në 1 gusht 1914. Franca dhe Gjermania i shpallën luftë njëra-tjetrës më 3 gusht.
Pasi kaloi Luksemburgun neutral, ushtria gjermane pushtoi Belgjikën natën e 3-4 gushtit, duke e nxitur Britaninë e Madhe, aleaten e Belgjikës, që t’i shpallte luftë Gjermanisë.
Evropianët në përgjithësi e përshëndetën shpërthimin e luftës.
Pjesa më patriotike, supozonte se vendi i tyre do të ishte fitimtar brenda disa muajsh.
Nga palët luftarake, Gjermania ishte më e përgatitur për shpërthimin e luftimeve, pasi udhëheqësit e saj ushtarakë kishin hartuar një strategji të sofistikuar ushtarake të njohur si “Plani Schlieffen”, që parashikonte pushtimin e Francës përmes një sulmi të madh në formë harku, përmes Belgjikës dhe Francës veriore.
Rusia, tepër e ngadaltë në mobilizim, do të mbahej e zënë nga forcat austro-hungareze, ndërsa Gjermania do të sulmonte Francën.
“Plani Schlieffen”, ishte gati i suksesshëm. Por në fillim të shtatorit francezët u rimobilizuan, dhe e ndalën përparimin e gjermanëve në Betejën e përgjakshme të Marnës afër Parisit.
Deri në fundin e vitit 1914, mbi 1 milionë ushtarë të kombësive të ndryshme ishin vrarë në fushëbetejat e Evropës, dhe as për Aleatët dhe as për Fuqitë Qendrore, nuk ishte në horizont një fitore përfundimtare.
Në Frontin Perëndimor – vija e betejës që shtrihej në të gjithë Francën Veriore dhe Belgjikë – luftëtarët u vendosën në llogore në një luftë të tmerrshme pa asnjë fitues.
Në vitin 1915, Aleatët u përpoqën të thyejnë bllokimin me një pushtim amfib të Turqisë, e cila u ishte bashkuar Fuqive Qendrore në tetorin e 1914-ës.
Por pas një gjakderdhje të madhe, Aleatët u detyruan të tërhiqeshin në fillim të vitit 1916.
Ai vit u shoqërua me ofensiva të mëdha nga Gjermania dhe Britania përgjatë Frontit Perëndimor, por asnjëra palë nuk arriti një fitore vendimtare.
Në lindje, Gjermania ishte më e suksesshme, dhe ushtria e paorganizuar ruse pësoi humbje të tmerrshme, duke nxitur shpërthimin e Revolucionit Rus në vitin 1917.
Nga fundi i tij viti, bolshevikët morën pushtetin në Rusi, dhe nisën menjëherë negociatat për paqe me Gjermaninë.
Në vitin 1918, çuarja e trupave dhe burimeve amerikane në Frontin Perëndimor, e kthehu më në fund erën në favorin e Aleatëve.
Gjermania nënshkroi një marrëveshje armëpushimi me Aleatët më 11 nëntor 1918.
Lufta e Parë Botërore, ishte e njohur si “lufta që do t’i jepte fund të gjitha luftërave”, për shkak të masakrave dhe shkatërrimit të madh që shkaktoi.
Mjerisht, traktati i paqes që i dha fund zyrtarisht konfliktit – Traktati i Versajës i vitit 1919 – imponoi kushte të rënda ndëshkimore ndaj Gjermanisë, që e destabilizuan Evropën, dhe hodhën bazat për Luftën e Dytë Botërore 2 dekada më vonë.
