Mbrapa

Kosova t’i plotësojë dy kushtet e BE-së për vizat

Publikuar: 06.12.2017

Ambasadorja e Finlandës në Kosovë, Anne Huhtamäki, gjatë një interviste ekskluzive për gazetën “Zëri” ka deklaruar se Kosova dhe Bashkimi Evropian kanë rënë dakord për kushtet që duhen plotësuar për liberalizimin e vizave.

Sipas saj, për të ndodhur liberalizimi është në dorën e Kosovës që t’i përmbushë dy kushtet e mbetura, demarkacionin me Malin e Zi, si dhe të dhënat e evidentuara kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.

Kosova dhe Bashkimi Evropian (BE) kanë rënë dakord për kushtet që duhen plotësuar për liberalizimin e vizave.

Kanë mbetur vetëm edhe dy kritere të paplotësuara: Marrëveshja e Demarkacionit me Malin e Zi, si dhe të dhënat e evidentuara kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.

Bashkimi Evropian do t’i përmbahet marrëveshjeve të tyre, por tani shpresoj që Kosova t’i përmbushë kushtet për liberalizimin e vizave.

Kështu ka deklaruar gjatë një interviste ekskluzive për gazetën “Zëri” ambasadorja e Finlandës në Kosovë, Anne Huhtamäki, duke shtuar se liberalizimi i vizave tani varet nga Kosova.

Gjatë kësaj interviste për “Zërin” diplomatja finlandeze ka porositur përfaqësuesit e palës kosovare dhe serbe që të kthehen në tryezën e negociatave në Bruksel, pasi që, sipas saj, dialogu ka ngecur muajt e fundit.

“Finlanda mbështet perspektivën e Kosovës për në BE dhe Finlanda mbështet dialogun e Beogradit dhe të Prishtinës, kështu që ne sugjerojmë kthim në tryezën e negacioneve”.

Ajo ka folur edhe për 100-vjetorin e Pavarësisë së Finlandës, të cilën e festojnë sot, duke thënë se përgjatë periudhës njëshekullore kanë arritur standard të lartë të jetesës për qytetarët e saj si rezultat i një ekonomie të zhvilluar, mirëqenie të duhur sociale, arsim të cilësisë së lartë, si dhe barazi gjinore.

Të gjitha këto beneficione, sipas saj, i shfrytëzojnë edhe 10 mijë kosovarë që jetojnë në Finlandë. 

/MediaPress