Mbrapa

Albin Kurti: Ne duam një Kosovë normale dhe një Serbi normale

Publikuar: 07.12.2017

Kosova duhet të ketë të drejtën e votës për një referendum mbi bashkimin me Shqipërinë, tha në një intervistë për DW-në, Albin Kurti, deputet nga radhët e Vetëvendosjes.

 Ai tregon përse e kundërshton dialogun e Brukselit dhe Bashkësinë e Komunave serbe.

"Ne kemi qenë të ndarë nga Shqipëria më shumë se një shekull më parë – në mënyrë të dhunshme, jodemokratike nga fuqitë e mëdha. Do të dëshironim të kemi të drejtën për bashkim me Shqipërinë në një mënyrë demokratike dhe paqësore – d.m.th jo të ndezim luftën e tretë ballkanike", ka thënë Kurti në një intervistë për DW në gjuhën serbe, transmeton "Zeri.info".

Gazetari i DW-së vuri re se në ambientet e lëvizjes Vetëvendosje, ku u zhvillua intervista, nuk kishte flamur të Kosovës, por vetëm të Shqipërisë. "Sigurisht që ne e njohim Republikën e Kosovës, por ne mendojmë se neni 1, pika 3 e Kushtetutës, e cila nuk na lejon që të ketë aspekte të jashtme në sovranitetin tonë - vetëvendosjes së popullit – nuk është i drejtë. Ne mendojmë se duhet ta kemi këtë të drejtë. Ne mendojmë se pavarësia e Kosovës nuk është shpallur kundrejt Shqipërisë, por ndaj Serbisë", u përgjigj Kurti.

Kur u pyet në lidhje me idenë e ndarjes së Kosovës apo shkëmbim territoresh – Veriun e Kosovës me Luginën e Preshevës - Kurti tha: "Unë mendoj se Serbia dëshiron që ne në atë mënyrë të bëjmë tregti me shkëmbim territoresh. Në këtë mënyrë do të hiqnim dorë nga Veriu i Kosovës. "Ai shtoi se ai është kundër heqjes dorë nga Veriu i Kosovës", jo vetëm për shkak të vendit tonë por edhe për shkak të Mitrovicës, njerëzve atje, dhe zhvillimit ekonomik, thelbi i të cilit është revitalizimi i Trepçës", përcjell "Zeri.info".


Kundër "dialogut joparimor"

Duke folur për kundërshtimin e tij ndaj Bashkësisë së Komunave serbe, Kurti përmendi shembullin e Bosnjës dhe Hercegovinës, siç tha ai, fillimi i formimit të Republikës Serbe ishte pikërisht një asociacion i komunave me shumicë serbe. "Unë mendoj se Serbia ka të njëjtat synime, mentalitet të njëjtë, të njëjtët politikanë, por mjete të tjera për shkak se rrethanat janë të ndryshme tani".

"Në parim, unë nuk jam kundër dialogut, por jam kundër dialogut jo-parimor," tha Kurti për dialogun e Brukselit, të cilin ai e kundërshton. Ai deklaroi se nën termin "normalizim" Beogradi, Prishtina dhe Brukseli kuptojnë gjëra krejtësisht të ndryshme.

"Mendoj se Serbia është shtet jonormal dhe mendoj se as Kosova nuk është një shtet normal. Nëse normalizoni marrëdhënien midis dy shteteve jonormale kjo do të thotë një rritje e jo-normalitetit. Ne duam një Kosovë normale, një Serbi normale, kështu që marrëdhëniet normale do të jenë një pasojë e natyrshme e kësaj, "tha ai.

Ai vlerësoi se pajtim nuk mund të ketë derisa Serbia ta njohë Kosovën dhe derisa nuk pajtohet të paguajë për dëmshpërblimet e luftës.

Serbia "imiton" Rusinë

Politikani i Vetëvendosjes deklaroi se "Serbia dëshiron të bëhet lojtari kryesor në këtë pjesë të Ballkanit duke imituar Rusinë". "Shpërbërja e Bashkimit Sovjetik ka çuar në një “oktapod të madh” ku në qendër kemi Federatën Ruse, dhe pastaj Bjellorusinë, Ukrainën lindore, Kaukazin, Transnistrinë, Osetinë e Jugut ... këto janë këmbët e oktapodit", transmeton "Zeri.info".

Nga ana tjetër, shtoi Kurti, Beogradi ka krahë në fqinjësi ku përfshihen "Republika Serbe në Bosnjë, partitë serbe në Mal të Zi të cilët janë kundër pavarësisë së Malit të Zi, si dhe enklavat në Kosovë - një e katërta e territorit të Kosovës kontrollohet nga strukturat paralele të Serbisë - dhe kishim deri dje regjimin e Gruevskit në Maqedoni, si dhe Kishën Ortodokse Serbe".

"Mendoj se Serbia kishte një shans vetëm për dy vjet e gjysmë ndërsa Kryeministër ishte Gjingjiqi. Pas vrasjes së Gjingjiqit, gjithçka shkoi keq. Ne jemi tani përsëri në kohën e Millosheviqit dhe në vend të Millosheviçit keni Vuçiçin dhe keni Sheshelin në vend të Sheshelit", tha deputeti i Kosovës.

"Serbia gjithmonë ka kërkuar të merret me fqinjët, dhe unë mendoj se ajo ka nevojë për t'u marrë me vetveten, të përballet me të kaluarën e saj", ka thënë Kurti, duke deklaruar se "dialogu i brendshëm" për Kosovën që po zhvillohet në Serbi në fakt është "monolog i jashtëm i Vuçiqit".

"Gjykata etnike" për krimet e UÇK-së

I pyetur për qëndrimin e tij mbi gjykatën speciale për krimet e UÇK-së, Kurti tha se në kemi të bëjmë me "një gjykatë etnike", vendimet e së cilës "do të hedhen poshtë në Strasburg". Ai shtoi se për krimet kundër serbëve duhet të mbahen përgjegjës të gjithë "individët" që i kanë kryer ato. "Nuk do të bëja asnjë kompromis me drejtësinë. Nëse Vetëvendosja do të ishte në pushtet, ne do të largonim duart nga institucionet e sundimit të ligjit, gjykatat do të ishin të pavarura dhe ato do të mund të dënonin ata individë".

Për gjendjen e keqe në Kosovë Albin Kurti një pjesë të fajit i atribuon komunitetit ndërkombëtar që qeverisi “me paradigmën e stabilitetit afatshkurtër politik". "Sa herë që diplomatët ndërkombëtarë përmendin sundimin e ligjit, ata nuk mendojnë për drejtësinë dhe ligjin, por për stabilitetin".

"Më e habitshme për mua është se komuniteti ndërkombëtar në Kosovë, 18 vjet pas luftës, nuk trajtoi fare kriminelët e paqes. Këtu kishte privatizimi brutal neo-liberal, nepotizëm, pastaj tenderomani. Ata kishin fakte dhe argumente të panumërta për t'i dënuar këta politikanë të korruptuar, por nuk bënë asgjë", përfundoi Kurti. 

/MediaPress