Mbrapa

Thaçi zotoi mbi gjysmë milionë euro për lobuesin e afërt me Trump (Foto)

Publikuar: 12.01.2018

Mbi gjysmë milionë euro të buxhetit të Kosovës planifikohet të shpenzohen për imazhin e presidentit Hashim Thaçi.

Presidenca ka përzgjedhur një kompani lobuese të udhëhequr nga Brian Ballard, i cili shquhet si një prej njerëzve më të afërt të presidentit amerikan, Donald Trump.

Zyra e Presidentit Thaçi kishte bërë edhe një lëvizje tjetër natën e 22 dhjetorit, kur tre liderët shtetëror tentuan ta shfuqizojnë marrëveshjen për themelimin e Gjykatës Speciale.

Ishin tërhequr pas kundërshtimit të fuqishëm të ambasadorit amerikan Greg Delawie dhe atij britanik Ruari O’Connell.

Por, një njoftim i Zyrës së Presidentit në faqen e Komisionit Rregullativ të Prokurimit Publik tregon se më 22 dhjetor kishte ndodhur edhe një zhvillim tjetër i rëndësishëm që ndërlidhet me imazhin e presidentit Hashim Thaçi, shkruan Insajderi.

Njoftimi tregon se atë ditë mbi gjysmë milionë euro të taksave të qyetarëve janë bërë gati për tu shpenzuar për ta përmirësuar imazhin e presidentit Thaçi, i cili dyshohet se do të jetë i akuzuar për krime lufte nga Gjykata Speciale.

Presidenca kishte shpallur fitues me 22 dhjetor kompaninë “Ballard Partners”, të udhëhequr nga Brian Ballard, një lobues i afërt me presidentin amerikan Donald Trump.

Sipas njoftimit të Presidencës, kontrata mes shtetit të Kosovës dhe kompanisë së Brian Ballard peshon 517 mijë e 198 euro.

Kompania obligohet që të ofrojë shërbime të konsulencës për Zyrën e Presidentit të Kosovës.

Njoftimi për Dhënie të Kontratës tregon se kontrata mes palëve parashihet të nënshkruhet më 15 janar.

Po ashtu, ky dokument tregon se kjo kompani është shpallur fituese e tenderit më 22 dhjetor të vitit 2017.

Dokumenti tregon që nuk ka pasur tender të hapur për angazhimin e lobistëve.

Kompania e Ballard ka qenë i vetmi konkurrent, nëpërmjet procedurës së negociuar/të mbyllur.

Por, cili është profili i kompanisë “Ballard Partners”?

Kompania ka bazën në Florida dhe presidenti i saj është një prej njerëzve më të afërt të presidentit Donald Trump.

Brian Ballard është një prej mbledhëseve kryesor të fondeve për fushatën presidenciale të Trump.

Pas fitores së Trump, kompania ka hapur zyre edhe në Washington dhe ka shënuar suksese në nënshkrimin e kontratave të lobimit me subjekte që dëshirojnë të afrohen me administratën e Trump.

Po ashtu, Ballard njihet si njeriu që ka mbledhur më së shumti para për të organizuar ceremoninë inaugurues të presidentit Donald Trump.


 

/MediaPress