Botë http://mediapress.al/wp-content/uploads/2018/06/HJ5tH_QBz_930x525__1.jpg

Papa Françesku kundër abortit selektiv: Racizëm me doreza të bardha!

Publikuar: 16/06/2018

“Abortimi i foshnjave të sëmura është racizëm”. Kështu është shprehur sot Ati i Shenjtë gjatë takimit të zhvilluar në Vatikan me një delegacion të organizatës kombëtare Forumi i Familjes.

Mjaft të ashpra kanë qënë fjalët e Atit të Shenjtë mbi abortin, i cili duke kujtuar historinë tha se “shekullin e shkuar gjithë bota skandalizohej për atë c’ka bënin racistët për të kuruar pastërtinë e racës. Sot bëjmë të njëjtën gjë, por me doreza të bardha; është e modës, e zakonshme. Kur në shtatëzani shihet se fëmija nuk është mirë apo do lind me diçka që s’pëlqehet, atëherë gjëja e parë që bëhet është ta heqim. Kjo është vrasje e fëmijëve.

Për të pasur një të qetë, eleminohet një i pafajshëm.”

“Prindërit kanë përgjegjësi në shoqëri, në zgjedhjet që bëjnë dhe ndaj abortit selektiv”, tha në fjalën e tij Ati i Shenjtë, një fjalim i improvizuar para prindërve e anëtarëve të shoqatave italiane të familjes që prej 25 vitesh kontribojnë në promovimin dhe ruajtjen e të drejtave dhe vlerave të familjes.

Duke u ndalur në rolin që familja ka sot në shoqërinë moderne, Ati i Shenjtë u shpreh se “Sot është pak e dhimbshme të thuhet se familja është e larmishme, kemi tipe të ndryshme familje. E është e vërtetë se fjala familja është e ngjashme me to. Kemi familje të yjeve, familje të pemëve, familje të kafshëve. Por familja si imazh i Zotit është vetëm një; burrë e grua.”

Por fjalët e Papa Françeskut kanë tëhequr vëmendjen dhe ndaj një tjetri fenomen që shqetëson sot shoqërinë moderne; numri i ulët i lindjeve dhe mungesa e dëshirës së çifteve të reja për të pasur fëmijë.

“Kam pasur rastin të takoj, tha Ati i Shenjtë, çifte të reja të martuar prej 10 vitesh, por pa fëmijë, pasi nuk donin të kishin, por në shtëpinë e tyre ata mbanin 3 qen e 2 mace”.

“Fëmija është dhurata më e madhe që të jep Zoti, tha Ati i Shenjtë. Fëmijët duhet të priten siç vijnë, ashtu siç i sjellë Zoti edhe pse ka raste që janë të sëmurë.”