Kosovë http://mediapress.al/wp-content/uploads/2017/12/policiaekosoves11135367.jpg

Policia: Rasti i Shtimes, i inskenuar

Publikuar: 12/04/2018

Policia e Kosovës njofton se rasti i raportuar si rrëmbim i 11 vjeçarit nga Shtimja del të jetë i inskenuar.

Policia në një komunikatë për media njofton se gjatë hetimit të rastit, intervistimit të të dëmtuarve dhe dëshmitarëve, nxjerrjen e video –incizimeve në disa lokacione në qytetin e Ferizajt, kanë arritur në përfundim se nuk ka të bëjë fare më rrëmbim.

“Zbardhja e këtij rasti, i cili në masë të madhe e shqetësoi mbarë opinionin, është arritur pas sigurimit të të gjitha provave relevante, ndërkaq, sot, në prani të punëtorit social dhe të psikologes, është intervistuar i mituri, (E.T.), i cili e ka pranuar se rasti është inskenuar. Sipas tij, rastin e ka inskenuar bashkë me dy djemtë e axhës së tij, me punë në Belgjikë, (V.T.21 vjeç dhe D.T.19 vjeç)”, thuhet në komunikatën e Policisë në Ferizaj.

I mituri, E.T. gjithashtu ka deklaruar, se rastin e kanë inskenuar me qëllim që i njëjti të përfitojë dokumentacionin valid të shtetit të Belgjikës.

Pas grumbullimit të të gjitha provave, hetuesit e Sektorit Rajonal të Hetimeve në Ferizaj, janë vënë në kërkim të kushërinjve të të miturit, por sipas familjarëve të tyre ata tashmë ishin kthyer në Belgjikë me të njëjtën veturë me të cilën edhe e kishin inskenuar rastin e rrëmbimit.

Policia e ka intervistuar edhe babain e të miturit, (A.T.), i cili e ka pranuar dhe vërtetuar se rasti është inskenuar, por sipas tij, ai nuk kishte qenë në dijeni.

Lidhur me hetimet e këtij rasti, është njoftuar edhe kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Ferizaj, i cili ka urdhëruar që rasti të procedohet në mënyrë të rregullt si ,”Lajmërim apo kallëzim i rremë, ndërsa SRH do të vazhdojë me hetimet e mëtejme të rastit.