Kosovë http://mediapress.al/wp-content/uploads/2017/11/zgjedhjet11200x630600x31534469.jpg

Të gjithë pro zgjedhjeve, GDP-ja kundër

Publikuar: 05/04/2018

Partitë politike nga pushteti dhe opozita, përpos Grupit të Deputetëve të Pavarur, janë shprehur të gatshme për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare për shkak të vështirësive të funksionimit të koalicionit qeverisës. Vetëm deputetët e ndarë nga lëvizja “Vetëvendosje” (GDP) janë kundër zgjedhjeve e madje janë shprehur të gatshëm edhe ta ndihmojnë Qeverinë, shkruan sot Gazeta “Zëri”

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) para dy ditësh ka kërkuar nga partitë politike që ta caktojnë një datë për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare.

Një kërkese të tillë i është kundërpërgjigjur shumë shpejt kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj, duke thënë se LDK-ja do ta ketë edhe votën e AAK-së nëse njëmend dëshiron zgjedhje.

Opozita megjithatë e ka vlerësuar këtë si dorëzim të shefit të ekzekutivit, teksa janë zotuar edhe një herë për rrëzimin e qeverisë “Haradinaj”, shkruan më tutje “Zëri”.

Derisa përfaqësuesit e lëvizjes “Vetëvendosje” kanë deklaruar se janë pro rrëzimit të qeverisë, nga Grupi i Deputetëve të Pavarur (GDP) kanë bërë të ditur se do ta ndihmojnë Qeverinë pasi nuk ka arsye që vendi të shkojë në zgjedhje.

Ndërkohë, edhe përfaqësuesit e partive të tjera të koalicionit qeverisës (PDK, Nisma e AKR) kanë deklaruar se janë të gatshëm kurdo që mbahen zgjedhjet.