Kosovë http://mediapress.al/wp-content/uploads/2018/04/marko-650x358.jpg

Zbutja e Gjuriqit-Deklaratat e tij para dhe pas arrestimit

Publikuar: 08/04/2018

Drejtori i të ashtuquajturës zyrë për Kosovën në Serbi, Marko Gjuriq po qëndron në Kosovë me rastin e Pashkëve Ortodokse.

Përkundër se edhe herave të kaluara ishin në Kosovë për festa, zyrtarët serbë përcjellnin mesazhe të ashpra politike dhe nacionaliste.

Por një gjë të tillë Gjuriqi nuk e ka bërë këtë herë. Ai mbrëmë gjatë festës në Manastirin e Banjaskës afër Zveçanit u pa mjaft i zbutur me qëndrimet e tij.

Tha “serbët në Kosovë janë pak, por janë trima”.

“Serbia do të jetë gjithmonë me popullin e saj në Kosovë dhe Metohi. Ne serbët numerikisht jemi pak, por jemi popull i guximshëm dhe liridashës. Ne do të qëndrojmë dhe do të qëndrojmë këtu në Kosovë dhe Metohi. Ne, si Serbi, dimë si ta mbrojmë popullin tonë në Kosovë, sepse këtu, për më shumë se një mijë vjet, është ndërtuar identiteti i popullit serb, i gjithë popullit serb. Është ndërtuar në të kaluarën, po ndërtohet sot dhe të jeni të sigurt se do të ndërtohet edhe në të ardhmen”, tha Marko Gjuriq.

Krejt deklarata tjera Gjuriqi kishte dhënë në Mitrovicën Veriore pak para arrestimit.

Zyrtari serb kishte thënë se “Mitrovica dhe Kosova gjithmonë do të jenë Serbi”.

“Dëshiroj që edhe nga këtu, Mitrovica e Kosovës të dërgojmë mesazh të qartë se Kosova dhe Metohia, veriu i Kosovës dhe Metohisë kurrë nuk do të jetë pjesë e të ashtuquajturës Kosovë e pavarur e as pjesë e të ashtuquajturës Shqipëri e Madhe. Projekte të tilla dhe të ngjashme i përkrahin vetëm ata të cilët dëshirojnë konflikte nëpër këto hapësira, ata të cilët nuk dëshirojnë që popujt të cilët jetojnë në këto hapësira të merren vesh dhe fëmijët e tyre në të ardhmen të jetojnë në paqe dhe të mos brengoset se a do të lëvizin të lirë, pa brenga se a do arrestohen nëse kanë mendim politik ndryshe”, kishte deklaruar Gjuriqi.

Pak momente pasi i tha këto fjalë, Gjuriqi u arrestua për tu dëbuar më pas për në Serbi.

Për vizitën që është duke e realizuar, Marko Gjuriq ka marrë leje nga Ministria e Jashtme.

Këta të fundit kanë bërë të ditur se lejen ia dhanë për shkak të festës së Pashkëve.