Botë http://mediapress.al/wp-content/uploads/2018/03/merkel.jpg

Merr formë kabineti i Merkel

Publikuar: 09/03/2018

Andrea Nahles, favoritja për udhëheqjen e partisë Social-Demokrate ka prezantuar 6 anëtarët që do të shërbejnë në poste ministrore në kabinetin e Angela Merkel.

Pas humbjes së thellë në zgjedhjet e fundit federale, Social-Demokratët do të përpiqen të ripërtërijnë imazhin e tyre, duke sjellë në kabinet emra të rinj e dinamikë.

Emërimi më i lartë është promovimi i Heiko Maas nga Ministër i Drejtësisë në Ministër të Jashtëm, post që më parë mbahej nga ish-lideri social-demokrat Sigmar Gabriel, i cili do të mbetet jashtë qeverisë së re.

Social-Demokratët do të kryesojnë gjithashtu edhe Ministrinë e Financave, duke shënuar herën e parë që një partner i vogël i koalicionit kontrollon një ministri kaq të rëndësishme.

Ashtu siç pritej, posti i është dorëzuar ish-kryebashkiakut të Hamburgut, Olaf Scholz.

59-vjeçari gjithashtu do të mbajë edhe postin e zv/kancelarit.

Skuadra e Social-Demokratëve plotësohet me Hubertus Heil, i cili do të jetë Ministri i ri i Punës dhe Çështjeve Sociale; Katarina Barley, Ministrja e re e Drejtësisë; Franziska Giffey, Ministrja për Familjen dhe Svenja Schulze, Ministrja e Mjedisit.

Kështu, Gjermania është në prag të krijimit të qeverisë së re, mëse 6 muaj pas zgjedhjeve federale.

Pengesa e fundit u kapërcye të dielën, kur 460.000 anëtarët e Partisë Social-Demokrate miratuan marrëveshjen e koalicionit me bllokun konservator.

Qeveria e re pritet të betohet në 14 mars, ditë në të cilën pritet të rizgjidhet formalisht kancelare edhe Angela Merkel.