Botë http://mediapress.al/wp-content/uploads/2018/03/sllovak-750x430.jpg

Pas vrasjes së gazetarit 27 vjeçar, presidenti sllovak kërkon qeveri të re

Publikuar: 05/03/2018

Presidenti sllovak, Andrej Kiska ka thënë sot se ai do të kërkojë bisedime me partitë dhe do të kërkojë formimin e qeverisë së re apo mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme për të kthyer besimin e publikut në institucione pas vrasjes së gazetarit hulumtues, Jan Kuciak.

Mijëra persona kanë marshuar në kryeqytetin sllovak, Bratisllavë dhe qytete tjera për gazetarin Kuciak, i cili ka qenë duke hetuar lidhjet e supozuara mafioze, ku në mesin e tyre gjendet edhe një biznismen italian në lindje të Sllovakisë.

Gazetari Kuciak dhe e dashura e tij janë gjetur të vdekur vikendin e kaluar.

Një nga personat e përmendur në raportin e Kuciak, ka pasur lidhje me zyrën e kryeministrit Robert Fico.

Raporti i gazetarit është publikuar pas vdekjes së tij dhe prezantonte hetimet e Kuciak për ndonjë abuzim potencial të subvencioneve të Bashkimit Evropian apo mashtrimeve të tjera.

“Unë do të nis bisedimet me liderët politikë për atë se si e imagjinojnë atë të ardhmen dhe si të kthejmë besimin e njerëzve në shtetin e tyre. Unë i kam dy mundësi momentalisht”, ka thënë presidenti Kiska në një fjalim televiziv, transmeton Reuters.

Kiska nuk ka ndonjë fuqi zyrtare për të nxitur rënien e qeverisë së formuar nga tri parti, mirëpo ai ka thënë se “mundësia e parë mund të jetë ristrukturimi i qeverisë, proces i cili nuk do ta ndante shoqërinë”.

Si mundësi të dytë ai ka përmendur mbajtjen e zgjedhjeve, për të cilat nevojitet mbështetja e tri të pestave të ligjëvënësve./REL