Rajon http://mediapress.al/wp-content/uploads/2018/04/673022__original.jpeg

Opozita sot në protestë

Publikuar: 05/04/2018

Ashtu siç është lajmëruar në orën 10.00 të ditës së sotme, në të gjithë vendin do të nisë protesta e opozitës, ku është bërë thirrje për mosbindje civile.

Gjithçka kundër tarifës për Rrugën e Kombit. Partia Demokratike dhe Lëvizja Socialiste për Integrim nga ora 10-13.00 do të bashkohen me qytetarët, ku do të bllokojnë disa nga akset kryesore rrugore.

Mësohet se rrugët që do të bllokohen, do të jenë kryqëzimi i Milotit, kryqëzimi i Çermës në Lushnje, kryqëzimi i Bradasheshit në Elbasan, kryqëzimi i Vorës por edhe Rruga e Kombit.

Nga ana e tij kryeparlamentari Gramoz Ruçi, nuk e ka pranuar kërkesën e opozitës që ta shtyjë seancën nga ora 10.00 për në 18.00.

Shkak për këtë kërkesë është bërë protesta e paralajmëruar për t’u mbajtur.

Ndërkohë, grupi parlamentar i LSI ka kërkuar nga Gramoz Ruçi që të përjashtojë nga punimet e Kuvendit, me të paktën 10 ditë, kryeministrin Edi Rama.

Sipas LSI-së, kreu i qeverisë ka ofenduar deputetët dhe qytetarët me fjalimin e javës së kaluar në Parlament.

Policia e Shtetit deklaroi nga ana e saj se nuk ka marrë njoftim ligjor për protestën dhe mbështetur në ligjin “Për tubimet” dhe për pasojë nuk mund të lejojë protesta të askujt, që në emër të lirisë së tubimit, cenojnë lirinë e sigurinë e të tjerëve.

Më tej thuhet se organizatorët e kësaj proteste të paligjshme do të përballen me ligjin për çdo pasojë të paparashikuar, që mund të sjellë një protestë e organizuar për të nxitur rrëmujë dhe konflikt në pika nevralgjike për qarkullimin e njerëzve dhe mjeteve.

“Policia e Shtetit njeh dhe respekton si të paprekshme të drejtën për të protestuar. Por ajo ka përgjegjësi ligjore, si dhe gatishmërinë për të mos lejuar cënimin e interesit të qytetarëve. Policia e Shtetit u bën apel të gjithë qytetarëve të mos bien pre e një politike të angazhuar për të goditur ligjshmërinë dhe institucionet e vendit, duke dëmtuar interesat e njerëzve e të vetë vendit. Zhvillimi i një proteste të paligjshme mund të përdoret nga elementë me precedentë kriminalë dhe të nxitur a të paguar për të krijuar paqëndrueshmëri shoqërore”, vijohet më tej.