Lajme http://mediapress.al/wp-content/uploads/2018/03/670144__640x400.jpg

Si u arrestua ish-pronari i “Kristal”, vajza që i bëri “gropën”

Publikuar: 07/03/2018

Dalin detaje të reja lidhur me arrestimin e ish-pronarit të “Kristal”, Ahmet Muçaj, i vënë në pranga këtë të martë, nën akuzën se jepte diploma false edhe pas mbylljes së Universitetit.

Arrestimi i tij u bë në sajë të bashkëpunimit me Prokurorinë të një vajze të re, e cila kërkonte diplomë drejtësie.

Më konkretisht, Muçaj u prangos teksa po merrte 1500 euro nga një vajzë nga Laçi.

Nëpërmjet një sekseri, e reja ka takuar Muçaj, duke i kërkuar një diplomë, ku si kapar ka paguar 1 mijë euro, ndërsa në momentin që do merrte diplomën do ti jepte dhe 1500 të tjera.

Por pikërisht teksa kishin lënë takimin për dorëzimin e diplomës, Muçaj është arrestuar në kushtet e flagrancës teksa po merrte paratë.

Sakaq në kërkim është shpallur sekseri me iniciale E.P.

Edhe pse Universiteti ishte mbyllur, Muçaj kishte ruajtur numrat e amzës të marrë para vitit 2012 kur iu pezullua licenca dhe me numrat e mbetura bosh, ai pajiste me diploma persona të ndryshëm përkundër pagesës.

Edhe vajza nga Laçi e moshës 30-vjeçare, diplomën që do të merrte, do ta merrte për periudhën kohore 2010-2013.

Sa i takon firmës së ish-dekanit, mendohet se ajo është e falsifikuar.

Në kuadër të hetimeve Drejtoria e Policisë Tiranë, në bashkëpunim me Prokurorinë, arrestuan në flagrance shtetasin Ahmet Muçaj, ish-administrator i Universitetit “Kristal”, për veprën penale “Korrupsioni pasiv në sektorin privat”.

Prokuroria tha se ai u kap në kushtet e flagrancës duke i dorëzuar një shtetaseje një diplomë të nivelit “Bachelor”, dega Drejtësi, kundrejt marrjes së një vlere monetare.