Botë http://mediapress.al/wp-content/uploads/2018/03/dy-korete.jpg

Takohen udhëheqësit e të dy Koreve

Publikuar: 06/03/2018

Për herë të parë në 11 vite, liderët e dy Koreve do të ulen në të njëjtën tryezë diskutimi.

Zyrtarët koreano-jugorë të cilët vizituan Penianin një ditë më parë, deklaruan se liderët e dy vendeve do të mbajnë një samit të përbashkët në prill, ku denuklearizimi dhe përmirësimi i marrëdhënieve do të jenë temat kryesore.

Koreja e Jugut dhe Veriut do të mbajnë një samit të përbashkët në prill, për herë të parë në mëse një dekadë.

Lajmi është konfirmuar nga shefi koreano-jugor i sigurisë kombëtare, i cili mori pjesë në një takim me liderin koreano-verior Kim Jong-un.

Sipas zyrtarit, samiti do të mbahet në zonën e demilitarizuar që ndan dy Koretë.

Një tjetër zhvillim pozitiv është se liderët e dy vendeve do të hapin së shpejti një linjë të drejtpërdrejtë komunikimi.

Kjo arritje vjen pas vizitës historike të një delegacioni të lartë koreano-jugor në Penian dhe pas takimit të drejtpërdrejtë me liderin e vendit të izoluar, Kim Jong-un.

Ky i fundit shprehu dëshirën për marrëdhënie më të afërta me Korenë e Jugut.

Peniani madje shprehu gatishmërinë për t’u ulur në një tryezë të përbashkët bisedimesh edhe me Shtetet e Bashkuara, për të diskutuar çështjen e denuklearizimit dhe normalizimit të marrëdhënieve dypalëshe.

Kim Jong-un është takuar me pak zyrtarë të huaj që kur ai mori pushtetin në vitin 2011.

Ndaj, atmosfera e ngrohtë në takimin e rrallë mes palëve në Penian, është sa e çuditshme aq edhe e rëndësishme për të dy Koretë.

Kjo përpjekje vjen në vazhdimësi të klimës pozitive të krijuar mes vendeve gjatë Olimpiadës Dimërore, ku dy Koretë marshuan nën një flamur të përbashkët.