Çka po paralajmëron kryeministri Hoti
Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti ka njoftuar se së shpejti do të përmbyllet analiza rreth rishikimit funksional të ambasadave të Kosovës nëpër botë.
Hoti këtë njoftim ia ka përcjellë kryetares së Kuvendit dhe ushtrueses së detyrës së Presidentes, Vjosa Osmani.
“E njoftova znj. Osmani se Qeveria e Republikës së Kosovës do të përmbyllë së shpejti analizën e rishikimit funksional të rrjetit të misioneve diplomatike të Kosovës. Mbi bazën e kësaj analize, do të ndërmerren të gjitha veprimet e nevojshme: (1) për të siguruar funksionim efikas të misioneve diplomatike të Republikës së Kosovës; dhe (2) përbërja e misioneve diplomatike të jetë në përputhje me ligjin”, ka njoftuar Hoti.
Ky veprim vjen pas reagimeve të shumta rreth emërimit të djalit të deputeti Haxhi Shala, për konsull në Ambasadën e Kosovës në Pragë.