“Fillimisht kuvendi, më pas presidenti e në fund qeveria”
Për shkak të afatit të ngushtë ligjor për zgjedhjen e presidentit të ri të vendit, njohësit e Kushtetutës propozojnë që menjëherë pas konstituimit të kuvendit të votohet për të parin e shtetit.
Pas kësaj, ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani, thotë se mund të votohet edhe qeveria e re.
Njësoj mendon edhe Dorajet Imeri pasi, sipas tij, nëse nuk zgjidhet presidenti deri më 6 prill, vendi shkon sërish në zgjedhje.
Por të kundërtën e thotë Rreze Hoxha-Zhujaj nga Grupi për Studime Politike Juridike. Sipas saj, ka ende kohë që fillimisht të votohet për kabinetin qeveritar. Kurse më pas mund të votohet edhe për presidentin.
Në bazë të procedurave, fillimisht duhet të certifikohen rezultatet zgjedhore. Më pastaj të konstituohet legjislatura e tetë. Votimi i qeverisë kërkon 61 vota, kurse presidenti i ri zgjedhet me 80 deputetë të pranishëm dhe me shumicë votash pro.