MP Video http://mediapress.al/wp-content/uploads/2020/07/Avdullah-Hoti-6.png

Hoti jep detaje për takimin me Vuçiqin: Bisedime të vështira



Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, ka dhënë detaje për takimin në Bruksel me Aleksandar Vuçiq, në kuadër të dialogut që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian.

Hoti listoi dy çështjet që janë diskutuar mes dy shteteve, përkatësisht çështja e të pagjeturve dhe zhvillimi ekonomik.

“Pas 20 muajsh, sot e rifilluam procesin e dialogut në mes të Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë. Njohja reciproke dhe normalizimi i raporteve në mes të dy vendeve janë parimet bazë dhe qëllimi përfundimtar i këtij procesi. Me kërkesën tonë, dy temat e takimit të parë ishin personat e pagjetur dhe çështjet ekonomike. Për ne tek ekonomia përfshihen edhe kompensimi i dëmeve të luftës, suksesioni, borxhi shtetërorë, pensionet, kursimet në banka, pagat e humbura të punëtorëve të larguara nga puna, dëmtimet e pronës private dhe çështje të tjera që do të vazhdojnë të diskutohen në takimet e ardhshme. Jemi të vendosur që çështja e të pagjeturve të mbyllet sa më shpejt, sepse ndjejmë obligim moral ndaj familjeve të tyre”, tha Hoti.

Ai e cilësoi këtë takim si të vështirë, ndërsa shtoi se kjo do jetë faza përmbyllëse e çështjeve që janë të hapura në raport me Serbinë.

“Destinacioni i Kosovës është integrimi euro-atlantik. Dialogu nuk ka alternativë. Me mbështetjen e miqve do të arrijmë qëllimin tonë, sepse është në interes të Kosovës dhe Serbisë, në interes të paqes, stabilitetit dhe prosperitetit në rajon, si dhe në interes të BE-së dhe SHBA-së. Gjatë këtij procesi të vështirë, ne besojmë plotësisht në miqtë tanë ndërkombëtarë, siç kemi besuar në të kaluarën kur ata e mbështetën çlirimin dhe pavarësinë e Kosovës”, theksoi kryeministri. 

Ndërkaq, Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq tha se bisedimet me Hotin nuk kanë qenë aspak të lehta.

Vuçiq serb u shpreh se temat që janë diskutuar ka qenë ajo e të zhdukurve gjatë luftës dhe çështjet ekonomike.

“Bisedimet për të zhdukurit dhe të zhvendosurit do të vazhdojnë të mërkurën tjetër në nivelin teknik”, tha ai. 

Ai ka zbuluar edhe kërkesën direkte që ka shtruar në tryezën e takimit pala kosovare, e cila ka kërkuar hapjen e arkivave të policisë së Serbisë.

Më tej kreu i Serbisë, shtoi se vetë ai ka kërkuar që edhe Kosova duhet të hapë arkivat e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

“Ne jemi të gatshëm t’i përgjigjemi çdo kërkese të shqiptarëve. Kudo që ata mendojnë se mund të tregojnë në hartë një vend ku atyre u duket, ose ku mendojnë se është e mundur që të ketë ndonjë varrezë me shqiptarë, ne jemi të gatshëm së bashku me ta dhe me praninë e evropianëve të tregojmë nëse ka diçka apo jo. Por, ne kërkuam të njëjtën të drejtë për ne”, u shpreh Vuçiq.

Presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel ka mirëpritur rinisjen e dialogut Beograd-Prishtinë dhe “angazhimin e treguar nga të dyja palët”

Të fundit

Info Tjera