Opinione & Intervista http://mediapress.al/wp-content/uploads/2020/08/prec-zogaj-armand-sallabanda-1024x805-1-e1598197285445.jpg

Premtimi amerikan që nuk vdes



Shkruan: Preç Zogaj

Kësaj jave u mbajt në SHBA konventa e Partisë Demokrate, virtuale për shkak të pandemisë së koronavirusit, e cila zyrtarizoi emërimin e paralajmëruar të Joe Biden si kandidatin që do të sfidojë presidentin në fuqi, Donal Tramp në zgjedhjet presidenciale të muajit nëntor.

Për katër ditë me radhë të apasionuarit e politikës dhe gjithë të interesuarit që po mbajnë frymën që tani për fatin e betejës më të madhe elektorale në botë, patën rastin të ndiqnin njërën prej dy “meshave” madhështore të startit final të palëve drejt Shtëpisë së Bardhë.

Ndërsa republikanët do ta mbajnë konventën e tyre virtuale javën e ardhshme, konventa e demokratëve kaloi si një shfaqje e rrallë, madje e pashembullt sipas shume vëzhgueseve, e impenjimit dhe bashkimit të korenteve dhe figurave të shquara të kësaj partie rreth kandidatit Joe Biden për të mundur Presidentin Tramp.

Ish Presidentët Xhimi Kartër, Bill Klinton dhe Baraka Obama, zonjat Hilary Klinton dhe Mishele Obama, ish sekretari i shtetit, John Kerry, gjithë kandidatët e mundur apo të tërhequr nga gara në primaret brenda partisë, përfshirë multimilarderin Michael Blomberg dhe “skifterin” e përhershëm të krahut të majtë të partisë, Berinie Sanders, treguan me ndërhyrjet e tyre se ishin aty jo thjesht për të përmbushur një detyrë të solidaritetit rutinor, por shumë më tepër se kaq. Ata u bashkuan me promovimin e Joe Biden si presidenti që i duhet SHBA në katër vitet e ardhshme.

E lehtë të kuptohet se arsyeja numër një e manifestimit të këtij uniteti qëndron në vlerësimin e njëzëshëm të opozitës liberal demokrate amerikane se me Trampi-n President SHBA ka rrëshqitur nga historia e saj, po humb nga imazhi i qytetit që shndrit majë kodrës, po i kthen shpinën, pavarësisht rezistencës së traditës dhe institucioneve, misionarizmit të saj historik në mbrojtjen dhe përhapjen e vlerave të demokracisë në botë, se vetë presidenti ka shtrënguar duar diktatorësh dhe ka krijuar konflikte me aleatët brenda NATO-s, duke shërbyer vetvetiu si një kushtrim për regjimet iliberale dhe drejtuesit autoritarë apo diktatorë në vende të ndryshme të botës.

Në këtë kontekst, forca politike më e madhe liberale e botës, bashkohet dhe ngrihet për një qëllim të cilin e ilustroi në fjalën e saj kandidatja për zëvendës presidente, Kamila Harris, e cila foli për ëndrrën që e bën premtimin amerikan, me gjithë kompleksitetin dhe pa përsosmërinë e vet, një premtim për të cilin ia vlen të luftosh.

Demokratët dhe republikanët në SHBA kanë patur e kanë dallime të mëdha ideologjike dhe kulturore, ata janë shkëmbyer periodikisht në pushtet si të ndryshëm, në bazë të votës së lirë të zgjedhësve.

Por ata, me pak nuancime, kanë qenë një në raport me të famshmen ëndërr amerikane të lirisë, drejtësisë , shanseve të barabarta, multikulturalizmit e tjerë, sikurse edhe në konceptimin dhe mbajtjen e një Amerike misionare në botë prej nga nisen dhe përhapen rrathët e një civilizimi në shenjën e lirisë dhe ku merren vendime përcaktuese për të drejtat, paqen dhe demokracinë në botë. “SHBA do të vazhdojnë ta drejtojë botën… një engjëll na prin në këtë stuhi”- nuk mund të harrohen këto fjali të Presidentit republikan , Xhorxh Bush i Ri në fjalën e tij inauguruese të presidencës së tij të parë në shkurt të vitit 2001.

Vendet e Lindjes ish- komuniste, përfshirë Shqipërinë, i dedikojnë misionarizmit amerikan për të cilin po flasim, lirinë e tyre. Kombi shqiptar i dedikon çlirimin dhe Pavarësinë e Kosovës, statusin e kombit shtet-formues dhe gjithë të drejtat e deritanishme të shqiptarëve autoktonë në Republikën e Maqedonisë së Veriut. Pa misionarizmin amerikan ashtu siç e kanë konceptuar e interpretuar historikisht qeveritë e Uashingtonit, bota do të ishte një mozaik diktaturash ku tiranët shkelim me këmbë popullin e tyre dhe popujt e tjerë aty ku munden.

Ne do të ishim të mbaruar si vend i lirë me njerëz të lirë. Mbetet enigmë e madhe si do të ishte vetë SHBA pa misionarizmin dhe eksepsionalizimin e saj historik. “ Amerika është humbësi më i madh prej amerikanizimit të botës, ka të ngjarë të jetë intuita më e çuditshme e Trampit”, shkruajnë bashkautorët Stefan Holmes dhe Ivan Krastev në librin e tyre të fundit “ Drita që u shua”. Konventa republikane që do të mbahet javën e ardhshme mund të japë përgjigje më të qarta për qasjen e Presidentit Tramp dhe oratorëve të tjerë republikanë për ketë temë kyçe, e cila ngërthen perspektivën e tandemit historik SHBA-Europë, sikurse edhe balancat e reja të fuqive të mëdha.

Ndërkohë nuk ka asnjë enigmë për demokratët amerikanë, madje edhe për disa republikanë të njohur si Kolin Pauell, që mbështetin zgjedhjen e Biden si President, se mesazhi antimisionar e zvogëlon Amerikën, sikurse e çmonton “botën që Amerika krijoi”, siç ka thënë Rober Kagan.

Duke i zhvilluar këto tema dhe shumë të tjera të jetës së përditshme në SHBA, konventa e demokratëve kaloi si një shfaqje e bukur e elegancës dhe klasit, e thellësisë, e humorit, e rrëfimeve emocionuese, e frazave didaskalike, e gjithë një kombinimi stilesh e gjetjesh që në tërësinë e tyre formojnë shijen e mirë të politikës, një gjë që duket se po zhduket apo ndoshta kështu na duket në këtu nga Shqipëria ku banaliteti, injoranca, servilizmi, trashësia, ligësia, defiçenca intelektuale, ëndrra e pasurimit për vete, babëzia dhe vesi i korrupsionit janë ulur këmbëkryq dhe përcaktojnë dukshëm identikitin e politikës dhe politikanit shqiptar.

SHBA mbeten një burim besimi e shprese edhe në këtë pikë: që ekziston dhe nuk vdes politika e shijes së kulturës dhe idealeve. Dhe qershia mbi tortë apo mbi torta, fjala e zonjës Jill Biden dhe fjala e burrit të saj, metafora të mëdha të premtimit për një “Amerikë të Bashkuar”. Zonja Biden: “Në moshën 26 vjeçe u gjenda përpara një ndërmarrje që më dukej vërtetë e vështirë. Isha martuar më një burrë që kishte humbur gruan dhe vajzën në një aksident. Një person i goditur nga dhimbja me dy fëmijë të vegjël. Por bashkë ia dolën të rindërtojnë një familje, me dashuri, solidaritet, zotësi reagimi”.

Zonja Biden e sheh Amerikën e sotme si “ një familje të shqyer , të ndarë, të goditur “. Por “edhe Amerika mund të kthehet e bashkuar”, u mëshon fjalëve ajo duke hequr një paralele më atë që bashkëshorti i saj ka bërë për të rindërtuar një familje mbi dhimbjet dhe tragjeditë. Kandidati për President e mori, e zhvilloi dhe e ngriti më lart premtimin e rindërtimit : “Kjo fushatë elektorale nuk është për të fituar vota, është për të fituar shpirtin e Amerikës”, theksoi ai duke dizajnuar me sa duket sfidën më të madhe të zgjedhjeve të nëntorit.

Në vendin tonë, për aq tifo sa bëjmë për pasion, pa qenë votues në fushatat presidenciale amerikane, ne zakonisht ndahemi sipas përkatësive partiake dhe më rrallë sipas simpative personale ndaj kandidatëve. Disa me demokratët, disa me republikanët. Duke e ditur se në raport me Shqipërinë dhe Kosovën, por edhe në vizionin klasik të demokracisë, presidentët nuk kanë qenë të ndryshëm nga njëri tjetri. Bushi plak, Klinton, Bushi i ri, Obama, të gjithë kanë lënë gjurmë të forta në zhvillimet mbarë-shqiptare.

Presidenti Tramp dhe administrata e tij ruajtën mbështetjen për reformën në drejtësi në Shqipëri, të miratuar gjatë administratës së mëparshme të Presidentit Obama. Kjo reformë jetike për fatin e shtetit ligjor dhe çlirimit të Shqipërisë nga pandëshkueshmëria në sferat e larta ka nevojë të rikuperojë vonesat e viteve të fundit dhe të fillojë të japë sa më shpejt produktin e pritshëm. Lajmi i mirë është se me fitoren eventuale të demokratit Joe Biden reforma dhe demokracia në Shqipëri do të njohin vetëm përparim.

Siç e shënuan më lart, në të voglën tonë, ne kemi përfitim të madh nga një SHBA që qëndron në rolin e saj si misionare e demokracisë në botë. Të shtojnë këtu edhe faktin se vetë zoti Biden ka dëshmuar se është një mik i popullit shqiptar. Dhe këtu po citoj rastet që kishte përmendur në një shënim të tij studiuesi i njohur Gëzim Basha, prej vitesh me banim në SHBA: Në Senat, Joe Biden, krahas senatorit republikan Bob Dole, ka qenë përkrahësi më i madh i kauzës Shqiptare për liri, të drejta njerëzore dhe demokraci në Ballkan.

Si senator, Joe Biden, në pallatin presidencial të Jugosllavisë së mbetur, i drejtoi gishtin Milosheviçit duke e quajtur, “a goddamned war criminal,” (një dreq kriminel lufte).

Kur gjatë javës së Pashkëve Orthodokse të vitit 1999, Presidenti Klinton u propozoi lidereve demokratë të Kongresit një ndalim të bombardimeve kundër objektivave serbe, i pari reagoi Biden duke thënë: “Në se meret ky vendim, unë do ti drejtohem popullit me vetëm dy fjalë: Presidenti u thye!”

Djali i ndjere i Biden, Beau Biden, ishte pilot i njërit prej aeroplanëve që bombardonin ushtrinë serbe gjatë Luftës së Kosovës.

Pas çlirimit të Kosovës, si senator dhe më pas Zv/president, Joe Biden ka qene avokati më zëlartë në favor të pavarësimit të Kosovës dhe ruajtjes së sovranitetit të saj.

Dalin e teprojnë për t’i blatuar respektin maksimal.

Të fundit

Si të shmanget kaosi pas zgjedhjeve në ShBA

Shkruan: Madeleine Albright Shumë shpejt pasi mbërrita në Nju Jork si refugjate në moshën 11-vjeçare, unë u bëra një amerikane krenare dhe mirënjohëse. Më vonë, si diplomate e SHBA-së, u

Fama: Pa koncesione nuk ka marrëveshje finale Kosovë-Serbi

Bashkimi Evropian duhet të shikojë mundësinë që në platformën dialoguese Kosovë-Serbi, ta përcaktojë se marrëveshja finale duhet të përfshijë njohjen e ndërsjellë, sugjeron Grupi Ndër

De Biasi: Unë sërish te Shqipëria? Kurrë mos thuaj kurrë

Gianni de Biasi, aktualisht trajner i Azerbaixhanit (do të luajë në “Elbasan Arena” ndaj Qipros) ishte i ftuari special i gazetarit Glend Tafajit në emisionin dedikuar Nations League. Ish-traj

Kosova të ndërpresë bisedimet pas deklaratave skandaloze të zyrtarëve serb ndaj viktimave të luftës

Shkruan: Msc. Skender Berisha Qeveria Hoti e zhgënjyer me deklaratat e disa zyrtarëve publikë në Serbi. Të ulëta dhe të papranueshme u cilësuan deklaratat e disa zyrtarëve politik të cilët

Eksperti i OBSH: Vaksina për COVID-19 mund të jetë e gatshme në tremujorin e dytë të vitit 2021

Helen Rees, hulumtuese në mjekësi, është optimiste se vaksina kundër coronavirusit do të jetë e disponueshme në tremujorin e dytë të vitit 2021. Rees, e cila bën pjesë në Grupin Këshilli

Bashkimi Evropian tenton ta rikthejë Kosovën në tavolinën Suedeze!

Shkruan: MSc Skender Berisha Shantazhi i Bashkimit Evropian ndaj Kosovës siq duket shkoi huq.Ajo provoi me anën e shantazhit të arrijë një marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë, duke mos e patur

Info Tjera