Mbrapa

Hudhra të pjekura në furrë

Publikuar: 10.01.2018

Fantastike në vlera dhe shije, hudhra është një përbërës që vështirë të mungojë në recetat shqiptare, qoftë ato moderne apo edhe ato të brezave të shkuar.

Përveç shijes fantastike, hudhra është një nga ushqimet më të shëndetshme që njeriu mund të konsumojë rregullisht.

Hudhra është një burim natyral i shumë ushqyesve të domosdoshëm për shëndetin e organizmit.

Ajo ndihmon në mirëmbajtjen e funksionit dhe shëndetit të zemrës ndërsa forcon gjithë organizmin në tërësi.

AgroWeb.org u përcjell tre mënyra fantastike të përgatitjes së hudhrave krejt lehtë në shtëpi.

Receta që i shtojnë shije dhe fantazi çdo gatimi por edhe mënyra për ta konsumuar hudhrën në mënyra krejt të reja krahasuar me ato tradicionale që jemi mësuar deri sot.

Të pjekura në furrë ato transformohen në një gjalpë të mrekullueshëm natyral, i cili ndjell shijen e oreksin teksa konsumohet me një fetë buke të thekur.

Të gatuara në formën e një salce kremoze me vaj ulliri apo të prera në feta e të marinuara në vaj ulliri hudhrat transformojnë çdo gatim me shijen e tyre në një pjatë speciale.

Tri Receta Fantastike me Hudhra

Hudhrat e Pjekura në Furrë
Merrni disa kokrra hudhra dhe siç janë të plotë prijuni përmes një thike të mprehtë pjesën e sipërme të kokës.

Marinojini me kripë, piper të zi dhe vaj ulliri dhe mbështillini me letër pjekjeje.

Futini në furrë dhe lërini përreth 40 minuta.

Mund të konsumohen në formën e gjalpit me bukë të thekur por edhe si garniturë për mishra të ndryshëm.

Salca e Hudhrave
Pastroni disa kokrra hudhra dhe skuqini lehtë në vaj ulliri për pak minuta.

Thelbinjtë e skuqur bashke me vajin e ullirit grinjini në një blender derisa të përfitohet një salcë kremoze e ujshme.

Është një salcë e shkëlqyer që mund t’u shtohet sallatave të ndryshme ose mishrave gjithashtu.

Feta hudhrash me vaj ulliri.

Ndani thelpinjtë e disa kokrra hudhrave.

Pastrojini nga lëkura dhe prijini përmes një thike të mprehtë në feta të holla.

Skuqini në vaj ulliri, hidhuni kripë, kaurdisini për pak sekonda dhe hudhrat janë gati.

Mund të përdoren për sallata të ndryshme, gjellëra dhe supa. 

/MediaPress