Sport http://mediapress.al/wp-content/uploads/2018/01/begaj36499.jpg

Begaj rezulton pozitive edhe në testin B të dopingut

Publikuar: 02/03/2018

Ashtu siç pritej, Romela Begaj rezulton pozitive edhe në testin e dytë për doping. Testi B konfirmoi rezultatin e Testit A, e tashmë jo vetëm sportistja, por e gjithë peshëngritja shqiptare rrezikon një dënim të rëndë.

Romela Begaj u shpall nënkampione bote në kategorinë deri në 69 kg, në kampionatin botëror të zhvilluar në Anaheim të Shteteve të Bashkuara.

Por pas kryerjes së testit të parë ajo rezultoi pozitive për përdorimin e substancës së stanazololit, e ndaluar nga Federata Ndërkombëtare e Peshëngritjes.

Presidenti i Federatës Shqiptare të Peshëngritjes, Elez Gjoza, asokohe këmbënguli në një bisedë telefonike për Top Channel në pafajësinë e peshëngritëses, duke theksuar se përgjigjet kanë ardhur në Federatë 45 ditë pas përfundimit të Botërorit dhe konfirmoi se ajo do të kryente edhe Testin B.

Por kjo nuk është hera e parë që Begaj rezulton pozitive me substancën e stanazololit.

Më parë, ajo ka rezultuar e tillë edhe në testet antidoping të vitit 2014, pas Botërorit të Kazakistanit.

Edhe pse Gjoza theksoi se do të jepte një prononcim në lidhje me këtë çështje pasi të merrej përgjigjja e testit të dytë të Begajt, Gjoza dhe i gjithë stafi i Federatës Shqiptare të Peshëngritjes dhanë dorëheqjen pak ditë më pas.

Në Botërorin e Anaheimit, Romela Begaj shënoi rezultatin më të mirë në karrierën e saj, pasi fitoi medaljen e artë në shkëputje dhe të argjendtën në dygarësh.